Një shtetas i Kosovës, i kërkuar me urdhër-arrest ndërkombëtar, është ekstraduar nga Hungaria në Kosovë, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Sipas njoftimit, ekstradimi është realizuar nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë.
I dyshuari ishte arrestuar nga autoritetet hungareze pasi kërkohej përmes INTERPOL-it me urdhër-arrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës.
Ai dyshohet për veprat penale “Armëmbajtje pa leje” dhe “Fshehje e provave”, ndërsa sipas Policisë, i ishte shmangur drejtësisë.
Policia bëri të ditur se ekstradimi u realizua në bazë të legjislacionit në fuqi dhe falë bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Hungarisë.
Pas mbërritjes në Kosovë, i dyshuari iu dorëzua njësive kompetente policore për vazhdimin e procedurave ligjore.
“Policia e Kosovës do të vazhdoj me shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale që ndërlidhen me hetimin e kryesve të veprave penale, si dhe aktivitete tjera në gjurmimin, kapjen-arrestimin e personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit”, theksohet në fund të njoftimit.






