6.3 C
New York
Friday, November 15, 2024

Buy now

Ekstradimi rikthehet në diskutim: Çfarë thanë Hovenier e von Cramon për sulmuesit e Bajnskës?

- Advertisement -

Dy herë brenda 24 orëve, u përmend mundësia e ekstradimit të terroristëve serbë që kryen sulmin në Bajsnkë të Zveçanit. Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier e Viola von Cramon, raportuese e Parlamentit Evropian për Kosovën kanë folur mbi këtë çështje – çka thanë ata?

Po bëhen tashmë gati dy muaj prej kur zyrtari policor Afrim Bunjaku mbeti i vrarë pas një sulmi në veri të Kosovës.

Grupi terrorist u kryesua nga Milan Radojiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe. Ndonëse disa prej terroristëve u vranë, të tjerët ia dolën të ikin në Serbi.

Çka rreth ekstradimit?

Dje derisa mori pjesë në një diskutim në “Atlantic Council”, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier u pyet edhe mbi mundësinë e ekstradimit të Radojiçiq në Kosovë, gjë e cila është kërkuar nga autoritet e vendit tonë.

Në ShBA, Hovenier u shpreh se për një gjë të tillë, do të kishte bazë të mjaftueshme për të proceduar me çështje kriminale, derisa shtoi se Radojiçiq duhet të mbajë përgjegjësi.

“Z.Radojiciq e bëri të ditur përmes avokatit që ka qenë prezent dhe organizues i sulmit. Në sistemin e ShBA-së, do të kishte bazë të mjaftueshme për të proceduar me një çështje kriminale, nuk jam prokuror apo avokat. Ne besojmë që Radojiçiq është në mesin e njerëzve që duhet të mbahet përgjegjës, dhe presim që kjo të ndodhë.” – tha ai.

Çka tha von Cramon?

Për të njëjtën çështje, të shtunën foli edhe eurodeputetja Viola Von Cramon.

Në një intervistë për “Euronews Albania” ajo ka përmendur sulmin në Bajnskë të Zveçanit, duke kërkuar veprim nga BE-ja.

Sipas saj madje, nëse nuk ka bashkëpunim, nuk ka as ekstradim.

“Ka një ndikim të qartë, por nëse ne ndalojmë paratë për Serbinë, ky do të ishte vendim shumë i butë për Vuçiqin. Vuçiq do jetë para zgjedhjeve dhe gjëja me e keqe që mund t’i ndodh se pse BE pezulloi fondet dhe pse mori masa ndaj tij. Nëse s’ka bashkëpunim, s’ka ekstradim, nëse s’ka transparencë, BE-ja s’duhet të flasë por edhe të veprojë, dhe shpresoj se disa prej tyre do t’i shohim së shpejti.” – deklaroi ajo.

“Vuçiq për momentin është mjaftë i dobët. Ai u përball më shumë protesta. Ka shumë presion. Do të prisja të shihja një rezultat të hetimit për Banjskën deri në fund të vitit. Këtë kemi formuluar dhe këtë presim ne në Parlamentin Evropian.” – shtoi Von Cramon.

Vlen të theksohet se Radojiçiq e ka pranuar publikisht pjesëmarrjen në sulmin në Bajnskë.

Ndonëse u arrestua dhe u mor në pyetje në Beograd, atij vetëm i është ndaluar hyrja në Kosovë dhe ndodhet ende i lirë.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit