Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, nuk e ka vetëm një qëndrim për rolin e gjyqtarit raportues në Gjykatën Kushtetuese. Qëndrimin për rolin e një gjyqtari të tillë ajo e ndryshon varësisht prej interesave të saj të ngushta.
Kur nuk i pëlqen gjyqtari raportues në një lëndë, ajo thotë se ai ka rol shumë të rëndësishëm në vendimin që do të merret për atë rast, ndërsa e minimizon rolin e tij kur kjo i konvenon.
Në qëndrimet e fundit, ajo po e zvogëlon rolin që ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Bekim Sejdiu, ka pasur në rastin e rrëzimit të Qeverisë Hoti.
Meqenëse, për shkak të rolit që ka pasur ai në këtë rast, një pjesë e deputetëve të LDK-së po e refuzojnë kandidaturën e tij për president, Osmani tani po mundohet ta minimizojë rolin e tij në këtë rast.
Në intervistën e fundit në emisionin “Rubikon”, ajo ka thënë se Sejdiu në atë rast ka votuar sikurse gjyqtarët e tjerë.
“Tani po vij te vendimi i Gjykatës Kushtetuese të vitit 2020. Në atë vendim, natyrisht se z. Sejdiu ka qenë gjyqtar raportues. Por, ai vendim është votuar nga të gjithë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese njëzëri”, ka thënë Osmani.
Por, krejt tjetër qëndrim kishte Osmani për gjyqtarin raportues kur ishte presidente e Republikës së Kosovës.
Për shkak të ndikimit të madh që, sipas saj, ka gjyqtari raportues në përgatitjen e një rasti, ajo në gusht të vitit të kaluar e kishte tërhequr një lëndë të saj nga shqyrtimi në Gjykatën Kushtetuese.
Pas tërheqjes së lëndës së saj, në një konferencë për media, ajo kishte pranuar se arsyeja e tërheqjes së kërkesës kishte qenë pikërisht gjyqtari raportues.
Para gazetarëve, Osmani kishte thënë se gjyqtari raportues ka rol jashtëzakonisht të madh në përpilimin e një lënde.
Sipas saj, gjyqtari raportues e “trason rrugën” e një rasti, e cila më pas ndiqet nga gjyqtarët e tjerë.
“Sipas rregullit 36 të Rregullores së Punës së Gjykatës Kushtetuese, gjyqtari raportues ka rol kyç në vlerësimin e pranueshmërisë, meritave të kërkesës dhe kërkesës për masë të përkohshme. Me fjalë të tjera, gjyqtari raportues e trason rrugën e një rasti, rrugë kjo që ndiqet pastaj nga gjykata në thuajse të gjitha rastet”, kishte thënë Osmani më 6 gusht të vitit 2025.
Gjyqtari raportues në Gjykatën Kushtetuese është gjyqtari që caktohet për të udhëhequr shqyrtimin fillestar dhe përgatitjen e një lënde specifike që dorëzohet për shqyrtim në gjykatë. Ai luan një rol kyç në procesin e vendimmarrjes kushtetuese, duke shërbyer si “motori” analizues i rastit përpara se çështja të kalojë për votim në Kolegj apo në seancë të plotë të gjykatës.
Bekim Sejdiu, i cili nga VV-ja dhe LDK-ja është propozuar si kandidat për president, ka qenë gjyqtar raportues në rastin e rrëzimit të Qeverisë Hoti më 21 dhjetor 2020.






