Lionel Messi ka dhënë një vlerësim të ashpër për kolapsin e fundit të mbrojtjes të Inter Miamit, duke e cilësuar humbjen 4-3 ndaj rivalëve të Orlando City si “të papranueshme”.
Superylli argjentinas mbeti i zemëruar pasi kampionët në fuqi të MLS Cup shpërdoruan një epërsi prej tre golash në stadiumin e tyre të ri “Nu Stadium”, duke zgjatur serinë pa fitore në këtë impiant në katër ndeshje.
Problemet e Miamit në “Nu Stadium” arritën kulmin të shtunën, kur ata humbën një avantazh të madh 3-0 për të pësuar humbje 4-3 ndaj Orlandos.
Goli i Messit në minutën e 33-të dukej se e kishte mbyllur ndeshjen, por një “hattrick” nga Martin Ojeda ndezi një rikthim të jashtëzakonshëm për mysafirët.
Përmbysja u kompletua në minutën e 93-të nga Tyrese Spicer, duke lënë kampionët pa fitore në shtëpi në katër ndeshje.
Frustrimi i Messit ishte i dukshëm, pasi ai u drejtua menjëherë drejt tunelit pas përfundimit të ndeshjes, por mbrojtësi Ian Fray më vonë zbuloi tonin e ashpër të fjalimit të kapitenit në zhveshtore.
Duke folur për mediat, Fray shpjegoi gjendjen në skuadër dhe mesazhin e qartë të liderit të tyre.
“Kapiteni ynë foli dhe, natyrisht, na tha shumë gjëra. Na inkurajoi për ndeshjen e radhës dhe tha se kjo është e papranueshme. Të gjithë u pajtuam me të, është e papranueshme dhe nuk do të ndodhë më”, tha ai.
Kjo humbje përbën një goditje të madhe psikologjike për Miamin, që po has vështirësi në stadiumin e ri, pavarësisht se Messi ka kontribuar me tetë gola në dhjetë paraqitje këtë sezon.
Edhe bashkëlojtari Noah Allen ndau të njëjtin mendim me kapitenin, duke pranuar se mentaliteti i skuadrës ndryshoi shumë herët gjatë ndeshjes.
“Mënyra si ishte e gjithë skuadra pas golit të tretë ishte zhgënjyese, kjo është diçka që duhet të ndryshojë… Ishte shumë dobët nga të gjithë, kështu që duhet thjesht të vazhdojmë përpara”, u shpreh ai.






