Pierre Blois largohet nga Valenciennes pavarësisht fitores rekord në Kupën e Francës. Rezultatet e dobëta në kampionat i kushtuan vendin e punës.
Një situatë e pazakontë ka ndodhur në futbollin francez. Valenciennes fitoi me rezultat të thellë 13-0 në Kupën e Francës, por kjo fitore historike nuk e shpëtoi trajnerin Pierre Blois nga shkarkimi.
Klubi francez njoftoi të hënën për ndërprerjen e bashkëpunimit me trajnerin, vetëm pak kohë pasi skuadra e kishte regjistruar fitoren më të thellë në historinë e saj në një ndeshje zyrtare, përcjell “Gazeta Express”.
Valenciennes triumfoi ndaj CS Habarcq, skuadër që garon në kategoritë amatore të futbollit francez, duke e siguruar kualifikimin në raundin e gjashtë të Kupës së Francës.
Megjithatë, paraqitjet në kupë nuk kanë qenë të mjaftueshme për ta ndryshuar vendimin e drejtuesve, të cilët janë të pakënaqur me rezultatet e skuadrës në kampionat.
Valenciennes renditet në vendin e 15-të në Ligue 3, pas nëntë ndeshjeve të zhvilluara, me vetëm dy fitore, dy barazime dhe pesë humbje.
Për këtë arsye, drejtuesit vendosën t’i ndajnë rrugët me Blois, pavarësisht fitores spektakolare 13-0.
Samuel Goethals do ta drejtojë skuadrën përkohësisht, me ndihmën e Rudy Mater, ndërsa klubi shpreson që ndryshimi në pankinë të sjellë rezultate më të mira në vazhdim të sezonit.
Kështu, Blois largohet nga Valenciennes pas një fitoreje që do të mbahet mend gjatë, por që nuk mjaftoi për ta mbajtur në detyrë.






