Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka identifikuar dy persona lidhur me vendosjen e flamujve në rrethojën e kishës ortodokse në Lipjan, njëri me mbishkrimin “UÇK” dhe tjetri i Shqipërisë.
Siç ka bërë të ditur Policia, të hënën, më 10 gusht, në Stacionin Policor në Lipjan, mbikëqyrësi i kishës ortodokse është njoftuar se në rrethojën e kishës ortodokse në Lipjan janë vendosur dy flamuj. Sipas tij, njëri kishte mbishkrimin “UÇK”, ndërsa tjetri ishte flamuri i Shqipërisë.
Lidhur me rastin janë identifikuar dy persona, njëri me inicialet D. M. dhe tjetri E. M., të dy nga Komuna e Lipjanit.
Sipas procedurave të parapara ligjore, lidhur me rastin janë njoftuar prokurorët kujdestarë të Departamentit Special dhe të Përgjithshëm, me udhëzimin e të cilëve rasti është dërguar me Shënim Zyrtar.
Njoftimi i plotë nga Policia:
Policia e Kosovës, me qëllim të informimit të drejtë të mediave dhe opinionit të gjerë, lidhur me rastin e vendosjes së flamujve në rrethojën e kishës ortodokse në Lipjan, përmes kësaj komunikate zyrtare njofton se:
Stacioni Policor në Lipjan, më datën 10.08.2026, rreth orës 21:00, nga përgjegjësi/mbikëqyrësi i kishës ortodokse, është njoftuar se në rrethojën e kishës ortodokse në Lipjan janë vendosur dy flamuj, sipas tij, njëri me mbishkrimin UÇK dhe tjetri i Shqipërisë.
Njësitë relevante policore, me të pranuar informacionin, kanë ndërmarrë veprime të menjëhershme dhe, si rezultat i punës dhe angazhimeve policore, është identifikuar dhe shoqëruar për në Stacionin Policor në Lipjan personi (D. M.) nga Komuna e Lipjanit. Personi i shoqëruar në stacionin policor është trajtuar nga Njësia e Hetimeve e Stacionit Policor në Lipjan, i cili ka rezultuar se ishte nën ndikim të alkoolit, me 0.61 promila.
Si vazhdimësi e hetimeve policore, sot, më datën 11.08.2026, është shoqëruar në stacionin policor edhe personi (E. M.), po ashtu nga Komuna e Lipjanit, ndaj të cilit kanë vazhduar procedurat e mëtejme policore.
Sipas procedurave të parapara ligjore, lidhur me rastin janë njoftuar prokurorët kujdestarë të Departamentit Special dhe të Përgjithshëm, me udhëzimin e të cilëve rasti është dërguar me Shënim Zyrtar.
Në kuadër të Strategjisë së Integruar të Policisë së Drejtuar nga Inteligjenca dhe Policisë në Bashkësi, Policia e Kosovës ka dosje të veçanta për çdo objekt të trashëgimisë kulturore fetare, të cilat shërbejnë për ofrimin e sigurisë ndaj tyre dhe për parandalimin e çfarëdo rasti apo incidenti të mundshëm. Nga Policia e Kosovës sigurohen 24 objekte të trashëgimisë kulturore me prezencë policore 24/7, si dhe objekte të tjera ndaj të cilave ofrohet siguri përmes njësive policore patrulluese, sipas zonave të përgjegjësisë.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, ofrimin e sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim, si dhe ofrimin e sigurisë ndaj të gjitha objekteve të trashëgimisë kulturore fetare.






