Nga formësimi i konsensusit shtetëror përballë Gjykatës Speciale te rikthimi i ekuilibrit mes pushtetit e opozitës – detyrat që e presin Presidenten e re të Republikës.
Përderisa formësimi i një qëndrimi të unifikuar përballë Dhomave të Specializuara përbën detyrën më urgjente, garantimi i ekuilibrit dhe balancimit të pushtetit mbetet parakushti kryesor për arritjen e suksesit në rrafshin e jashtëm.
Në këtë kuadër, analisti politik pranë Këshillit Atlantik, Agon Maliqi, ka vlerësuar në një përgjigje për Albanian Post se prioriteti kryesor i Presidentes së zgjedhur të Republikës, Justina Shiroka-Pula, duhet të jetë udhëheqja e një konsensusi shtetëror përballë proceseve që ndërlidhen me Dhomat e Specializuara në Hagë, Holandë.
E zgjedhur në krye të shtetit si produkt i një marrëveshjeje konsensuale për të kapërcyer ngërçin rrënues politik, ajo merr drejtimin e vendit të vogël mes pritjes për të ushtruar një funksion mbi-partiak e unifikues, në një kohë kur politika vendore lëngon nga përçarjet partiake e polarizimi i skajshëm.
Sipas Maliqit, kjo detyrë kërkon një strategji me dy drejtime: ushtrimin e kohezionit të brendshëm politik dhe angazhim intensiv në rrafshin diplomatik ndërkombëtar.
“Detyra kryesore e menjëhershme e presidentes është që të prijë në ndërtimin e konsensusit shtetëror mbi sfidën e Hagës — kjo kërkon edhe kohezion të brendshëm në lidhje me financimin e mbrojtjes, edhe dimension diplomatik dhe diskutim me aleatët, sepse kemi nevojë të sigurojmë mbështetje për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, ka potencuar Maliqi.
Peshën e mandatit të Shiroka-Pulës e bëjnë edhe më të rëndë rrethanat në të cilat ndodhet vendi: ndërsa në Dhomat e Specializuara gjykohet e dënohet vetë tregimi mbi lirinë e Kosovës, marrëdhëniet diplomatike të Kosovës me aleatët kanë prekur një nga pikat më të ulëta historike. Prandaj, kërkohet me urgjencë rivendosja e besimit të humbur.
E si prioritet të dytë po aq të rëndësishëm, ai ka nëvizuar nevojën për krijimin e një kabineti që projekton besim dhe paanshmëri. Ai ka tërhequr vërejtjen se funksionimi i presidencës si një institucion konsensual e i pavarur është i domosdoshëm për të shërbyer si urë lidhëse mes pushtetit dhe opozitës.
“Prioriteti i dytë më i rëndësishëm që duhet të ndodhë paralelisht është krijimi i një ekipi në presidencë që projekton besim se presidenca do të jetë institucion konsensual dhe i pavarur, e jo politikisht i anshëm. Dështimi për ta bërë këtë gjë mund t’i dëmtojë përpjekjet e presidentes për të shërbyer si urë në mes të pushtetit dhe opozitës për të arritur konsensus jo vetëm për Hagën, por për një varg çështjesh të tjera”.






