Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka akuzuar partitë opozitare për mungesë vullneti dhe sinqeriteti në procesin e zgjedhjes së presidentit, duke thënë se ato refuzuan çdo mundësi bashkëpunimi.
“Kryeministri Albin Kurti është munduar maksimalisht për t’i dhënë zgjidhje vendit, është munduar që të gjenë mirëkuptim e bashkëpunim me partitë opozitare duke iu dhënë mundësi edhe që të propozojnë ata. Partitë opozitare nuk kanë qenë asnjëherë të gatshme dhe të sinqerta për të ofruar opsionet e tyre për të dalë nga kjo situatë. Ne jemi të bindur se ata nuk e kanë pasur problemin te presidenti apo presidentja, problemin e kanë pasur me rezultatin e zgjedhjeve të vitit të kaluar”, ka deklaruar ai.
Dugolli ka shtuar se, sipas tij, mazhoranca ka tentuar disa forma kompromisi për të shmangur shkuarjen në zgjedhje të reja.
Sipas tij, mungesa e konsensusit nga opozita ka qenë arsyeja kryesore për bllokimin e procesit të zgjedhjes së presidentit.
“Pasi dështoi me figurën konsensuale të cilën u deklaruan por jo qartë për Murat Jasharin ne filluam të ofrojmë zgjidhje, na jepni ndonjë emër që ju mendoni, asnjëherë emër. LDK kërkonte hise në qeveri, ua ofruam këtë si kompromis për të dalë nga kjo situatë, sepse ne nuk ishim të interesuar ta qojmë vendin në zgjedhje. Partitë politike opozitare nuk janë të gatshme të marrin as pushtet, e kundërshtojnë pushtetin që populli ua ka dhënë LVV-së. Ne krejt në fund u munduam ta gjejmë një figurë krejt konsensuale nga Shoqëria Civile e cila ishte një grua jashtëzakonisht e përshtatshme, e përgatitur, kredibile, dhe menduam që të paktën këtu të kenë konsiderata dhe të marrin pjesë në votim, për shkak se pikërisht nga partitë opozitare kishte lëvdata të mëdha për zonjën Feride Rushiti”, ka theksuar Dugolli në emisionin “Mesdita” në Tëvë1.
Ndryshe, Kuvendi është shpërndarë mbrëmë, pasi në afatin e fundit nuk u votua presidenti. Vetëm të martën janë mbajtur tri seanca e fundit në ora 23:00, por vetëm deputet e shumicës ishin në sallë.
Në legjislaturën e dhjetë, VV-ja kishte 57 deputetë, PDK-ja 22, LDK-ja 15 dhe AAK-ja 6. 20 ulëset e tjera ishin të komuniteteve.






