Deputeti i VV-së, Enver Dugolli, ka bërë të ditur se sot është ndaluar në rrugë nga vajza e Ajet Istogut, të cilin ky e akuzoi si pjesëtar të UDB-së.
Sipas Dugollit, e njëjta është police.
Deputeti e ka përshkruar situatën, duke thënë se vajzës së Ajet Istogut nuk ia ndiente fare për të bëmat e babait.
Postimi:
Trashëgimtarët e UDB-ashëve s’ndjejnë keqardhje për të bëmat e baballarëve të tyre,
Sot, më 12.09.2024 filloi sesioni vjeshtor në Parlamentin e Kosovës dhe mu sot më ndodhi diçka që nuk e prisja.
Diku rreth orës 13:30, në kohën kur kryesuesja e parlamentit shpalli kohën e pauzës për drekë, unë dola nga hyrja e deputetëve dhe së bashku me një koleg timin deputet po nxitonin për të drekuar. Menjëherë aty tek laura e parkingut, një zonjë nxiton në drejtim timin duke më thirrur; ”z.Dugolli, a mund të ndaleni se kam një bisedë”.
Unë nuk e njihja, por me mirësjellje u ndala duke e përshëndetur. Zonja që nuk e njihja mu drejtua:
”Unë jam Suzana Istogu, vajza e Ajet Istogut, jam police e Kosovës.”
Unë i drejtohem: Dhe, çka?
Ajo: ”E keni përmendur prindin tim në një emision televiziv dhe gjithashtu keni thënë që ju vie keq për familjet dhe fëmijët e të apostrofuarve (UDBashëve).
Thënë të drejtën njëherë më shkoi mendja që paska dalur të më shprehte keqardhje për ato tortura që m’i kishte shkaktuar prindi i saj, Ajet Istogu, por shumë shpejtë e kuptova që ajo veç keqardhje nuk kishte dalur të më kërkonte.
Gjithnjë me mirësjellje i drejtohem:
Po, është e vërtetë se kam thënë qe më vije keq për fëmijët e tyre, sepse besoj qe fëmijët nuk janë fajtorë për prindërit e tyre, aq më tepër që fëmijët nuk mund t’i zgjedhin baballarët.
Ajo me një lloj shpërfillje ma kthen: ”Nuk është në rregull qe e përmendni babain tim Ajet Istogu, Ajet Istogu…sepse unë e njoh babain tim…”
Menjëherë ja kthej, se ndoshta është e vështirë ta pranoni e kuptoni, por babai juaj ka qenë njeri i keq, më ka marrë në pyetje dhe më ka torturuar… dhe vazhdova pa dashur të vazhdoj një bisedë të tillë me atë zonjë e cila nuk ndjente asnjë lloj keqardhje…
Në largim e sipër ajo më drejtohet:
“Okey, vazhdoni dhe flisni sa të doni, neve nuk na ndien për këtë punë…”
I shokuar për këtë të papritur kur kisha përballë një pasardhëse të njeriut qe më kishte torturuar, e cila gjithashtu nuk hezitoi të ma rikujtonte se është Police e Kosovës, përveç bisedës që kisha me disa kolegë deputet, vendosa qe ta lajmëroj rastin në Inspektoratin Policor të Kosovës, të cilët besoj që do ta trajtojnë rastin me profesionalizëm.
Takimi me atë zonjën nuk ishte i rastësishëm, ajo kishte ardhur enkas, duke më pritur deri sa po dilja nga Parlamenti për të më treguar që përveçse s’ndjenë keqardhje, nuk ja ndien fare se çka flasin njerëzit qe kanë vuajtur torturat mizore të UDB-ashve.