Deputeti i zgjedhur i Kuvendit të Kosovës, Artan Behrami, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se me politikat e tij ka favorizuar ekonominë e Serbisë në dëm të Kosovës.
Sipas Behramit, qeveria e udhëhequr nga Kurti ka hequr taksën 100 për qind dhe masën e reciprocitetit, duke i hapur rrugë importit të mallrave serbe në Kosovë.
“Mbi 6 miliardë euro mallra serbe janë importuar nën qeverisjen e tij”, ka deklaruar Behrami.
Ai më tej pretendon se Kurti ka ndalur projektin “Kosova e Re” dhe gazin amerikan, për t’u hapur rrugë, sipas tij, përfitimeve prej 1 miliard eurosh të firmave kriminale serbe.
Behrami ka reaguar edhe ndaj zhvillimeve që lidhen me fabrikën e qumështit “Vita”, duke pretenduar se synimi i radhës është mbyllja e fabrikës më të madhe dhe më të vjetër të qumështit në Kosovë, me qëllim që, sipas tij, të favorizohen tregtarët serbë të qumështit në tregun kosovar.
“Cili do të jetë hapi i radhës për ta dobësuar Kosovën dhe forcuar Serbinë?”, ka pyetur Behrami në reagimin e tij.






