Ndeshja ndërmjet Zvicrës dhe Kanadasë pritet të jetë e fortë.
Si Kanadaja ashtu edhe Zvicra kanë nga katër pikë në Grupin B dhe janë para Bosnjë-Hercegovinës dhe Katarit, të cilat kanë nga një pikë.
Barazimi do t’ua siguronte të dyja përfaqësueseve avancimin në 1/32 e finales së Kupës së Botës.
Në rast të barazimit, Kanadaja do të përfundonte në vendin e parë, kurse Zvicra, pjesë e së cilës janë dy shqiptarët, kapiteni Granit Xhaka dhe mesfushori, Ardon Jashari, do të avanconte nga vendi i dytë.
Por si te Zvicra ashtu edhe te Kanadaja kanë synime për t’u kualifikuar tutje nga vendi i parë.
Historia e Kupave të Botës dhe Evropianëve tregon se ndeshjet në të cilat të dyja ekipet përfitojnë nga barazimi, shpesh edhe kanë përfunduar baras.
Dy vjet më parë, Rumania dhe Sllovakia luajtën 1:1 në Evropianin në Gjermani, dhe të dyja ekipet kaluan në një të gjashtëmbëdhjetën e finales.
Në Evropianin 2004, Danimarka dhe Suedia luajtën po ashtu baras, 2:2. U mjaftoi nga një pikë për të lënë prapa Italinë.
Shembulli më i famshëm është fitorja 1:0 e Gjermanisë Perëndimore ndaj Austrisë në Kupën e Botës 1982, ku të dyja skuadrat ndaluan së luajturi pas golit të minutës së 11-të. Ndeshja e njohur si “Turpi i Gijonit” e eliminoi Algjerinë. Ajo ndeshje bëri që në turnetë e ardhshëm të luhej në të njëjtën kohë raundi i fundit i ndeshjeve në grup.
Ndeshjet Zvicër – Kanada dhe Bosnjë-Hercegovinë – Katar luhen të mërkurën nga ora 21:00 dhe i takojnë Grupit B.
Bosnjë-Hercegovina ashtu edhe Katari e dinë se çdo gabim në Seattle do të thotë eliminim në fazën e grupeve.
U duhet fitore për të shpresuar në avancimin tutje si një nga ekipet më të mira të vendit të tretë.






