Kampionia e Kosovës në futboll, FC Drita, ka shënuar një fitore të madhe në udhëtim ndaj Tre Fiorit, duke e mposhtur skuadrën nga San Marino me rezultat 4:1 në ndeshjen e parë të raundit të tretë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Gjilanasit zhvilluan një paraqitje të mirë dhe me këtë sukses kanë bërë një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit në “play-off”-in e kësaj gare.
Drita ishte skuadër më kërkuese gjatë gjithë takimit dhe krijoi disa mundësi për gol, por ishte Tre Fiori që kaloi i pari në epërsi. Kapiteni i skuadrës nga San Marino, Matteo Prandelli, realizoi në minutën e 56-të, duke i dhënë avantazhin vendasve.
Megjithatë, reagimi i kampionëve të Kosovës ishte i menjëhershëm. Vetëm pesë minuta më vonë, Raddy Ovouka barazoi rezultatin në 1:1, pasi shfrytëzoi topin e kthyer nga portieri kundërshtar.
Drita nuk u ndal dhe vetëm dy minuta më pas përmbysi rezultatin. Blerim Krasniqi shënoi për 2:1, duke e vendosur skuadrën gjilanase në epërsi.
Në minutat e fundit të ndeshjes, Drita e vulosi fitoren e thellë përmes Besnik Krasniqit. Ai realizoi golin e tretë në minutën e 82-të, ndërsa në kohën shtesë shënoi edhe nga pika e bardhë për rezultatin përfundimtar 4:1.
Me këtë fitore, Drita ka krijuar një avantazh të madh para ndeshjes së kthimit, e cila do të zhvillohet javën e ardhshme në Prishtinë.






