Drenica ka arritur një fitore tejet të rëndësishme në udhëtim ndaj Prishtinës, duke triumfuar me rezultat 1:2 dhe duke siguruar qëndrimin në Superligë pa pasur nevojë të kalojë nëpër ndeshjen e barazhit.
Vendasit kaluan të parët në epërsi me golin e Krasniqit, duke lënë të kuptohet se do ta mbyllnin sezonin me fitore para tifozëve të tyre. Megjithatë, skuadra nga Skenderaj reagoi në mënyrën më të mirë të mundshme.
Fillimisht barazoi Igball Jashari, ndërsa më pas Indrit Prodani realizoi golin e përmbysjes së madhe, duke i dhënë Drenicës tri pikë me vlerë të jashtëzakonshme.
Me këtë fitore, Drenica jo vetëm që shmangu rënien direkte, por edhe zonën e barazhit, duke siguruar matematikisht mbijetesën në elitën e futbollit kosovar. Tashmë kuqezinjtë mund të flenë të qetë dhe të nisin përgatitjet për sezonin e ardhshëm në Superligë.






