Drenasi mirëpriti delegacionin amerikan, “Iowa Soccer Club” zhvilloi ndeshje miqësore me KF “Feronikeli”

- Advertisement -

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka pritur sot në stadiumin “Rexhep Rexhepi” delegacionin e klubit amerikan “Iowa Soccer Club”, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë në kuadër të një programi të bashkëpunimit sportiv dhe kulturor.

Delegacioni amerikan udhëhiqej nga Teresa Parmenter, Presidente e Iowa AAU, së bashku me trajnerët Daniel Cataldi, Casey Betting, Daryn White, Hidajet Tica dhe Damien Corrieri, si dhe futbollistët e rinj të klubit “Iowa Soccer Club”.

Gjatë vizitës në Drenas u zhvillua ndeshja miqësore ndërmjet ekipit U17 të “Iowa Soccer Club” dhe U17 të KF “Feronikeli”, e cila u karakterizua nga fryma sportive, respekti i ndërsjellë dhe dëshira për të krijuar ura bashkëpunimi përmes sportit.

Me këtë rast, kryetari Lladrovci u uroi mirëseardhje mysafirëve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe zyrtarët e Ministrisë së Rinisë dhe Sportit, duke vlerësuar rëndësinë e sportit në afrimin e të rinjve dhe forcimin e miqësisë ndërmjet popujve.

Z. Lladrovci theksoi se Drenasi është komunë e sportit dhe të rinjve, gjithmonë e hapur për iniciativa që promovojnë shkëmbimet ndërkombëtare dhe vlerat e bashkëpunimit, në veçanti me të rinjtë amerikanë.

Në shenjë mirënjohjeje për vizitën e tyre në Drenas, kryetari Lladrovci pjesëtarëve të delegacionit u dhuroi medaljone artizanale, të punuara nga gratë e Shoqatës së Qendrës për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas, duke promovuar njëkohësisht punën, kreativitetin dhe përkushtimin e grave të komunës sonë.

Mysafirët po ashtu sollën dhurata të ndryshme, ndër të cilat kryetarit Lladrovci iu dhurua ndërresa me numrin 26, të klubit mysafir, numër që simbolizon 26 vjetorin e themelimit.

Pas përfundimit të ndeshjes miqësore, Komuna e Drenasit shtroi drekë për delegacionin amerikan dhe lojtarët, ndërsa vizita vazhdoi në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, ku mysafirët u njohën nga afër me historinë e luftës për liri dhe sakrificën e familjes Jashari.

Komuna e Drenasit mbetet e përkushtuar në mbështetjen e aktiviteteve që fuqizojnë sportin, promovojnë miqësinë dhe thellojnë bashkëpunimin ndërkombëtar, në veçanti bashkëpunimin me Iowa-n e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Të ngjashme

Të fundit