Drejtori i shkollës në Gjakovë dyshohet se ngacmoi të miturën, Prokuroria thotë se po ndërmarrin veprimet e nevojshme

- Advertisement -

Një rast tejet i rëndë ka ndodhur në fshatin Demjan të Komunës së Gjakovës, ku drejtori i shkollës fillore në këtë fshat dyshohet se i ka dërguar fotografi dhe video intime një të miturës.

Gjatë bisedës me të në rrjetin social Snapchat, drejtori në fjalë kishte kërkuar edhe që të takohet me të, ndërsa shumicën e videove i njëjti i kishte realizuar në zyrën e drejtorit të shkollës.

Sipas raportimit të “Piranjave” që i kanë publikuar bisedat, ai gjithashtu i kishte thënë të miturës se përveç drejtor i shkollës, ishte edhe pjesë e AAK-së.

Në lidhje me rastin, Prokuroria Themelore në Gjakovë për lajmi.net ka thënë se po i marrin veprimet dhe verifikimet e nevojshme.

“Lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se jemi njoftuar nga Policia e Kosovës dhe në koordinim me autoritetet përkatëse, janë duke u ndërmarrë veprimet dhe verifikimet e nevojshme lidhur me këto informacione. Prokurori i Shtetit në koordinim me Policinë e Kosovës, janë duke i ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme”, kanë thënë nga Prokuroria Themelore në Gjakovë për lajmi.net.

Në lidhje me këtë rast, për lajmi.net ka folur edhe zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili i cili ka thënë se drejtori në fjalë, identiteti i të cilit është tashmë publik, nuk është pjesë e AAK-së që nga 2021-ta, ndërsa deri atëherë ishte kryetar i një nëndege të AAK-së.

“Kontaktova me kolegët në Gjakovë, më treguan që drejtori në fjalë ka qenë në struktura të Aleancës deri në vitin 2021. Prej 2021-ës nuk është një asnjë strukturë, kish qenë kryetar nëndege diku deri në vitin 2021. Prej 2021-ës e deri tash nuk ka pas një pozitë në struktura”, ka thënë Xhemaili.

E gjithashtu, për këtë rast sot ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini.

Ai ka thënë se siguria, dinjiteti dhe mbrojtja e fëmijëve janë vija të kuqe të pakontestueshme për institucionet tona, mbi të cilat nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë asnjë kompromis.

“Në emër të Komunës së Gjakovës dhe në emrin tim personal, distancohem plotësisht dhe pa asnjë rezervë nga ky individ dhe çdo veprim i tij i turpshëm, i cili bie ndesh me moralin njerëzor dhe misionin e shenjtë të arsimit. Personi në fjalë është pezulluar menjëherë nga pozita e drejtorit të shkollës sipas procedurave ligjore në fuqi, ndërsa komuna ka ofruar dhe do të vazhdojë të ofrojë bashkëpunim të plotë e të pakushtëzuar për organet e rendit dhe prokurorinë me qëllim që ky rast të marrë dënimin maksimal ligjor”, ka thënë Gjini.

Ai ka thënë se drejtori në fjalë nuk ka qenë pjesë e strukturave të AAK-së që nga vitit 2021.

“Megjithatë, si kandidat për Kryeministër dhe nënkryetar i Aleancës, kam kërkuar menjëherë konfirmimin zyrtar nga kryetari i Degës në Gjakovë, Flamur Fetahaj, për të siguruar se ky individ nuk ka asnjë lloj lidhjeje apo angazhimi me ne. Ky le të jetë një mesazh i prerë për secilin që tenton të keqpërdorë emrin dhe logon e Komunës apo të Aleancës për veprime të tilla të turpshme. Dua të siguroj të gjithë qytetarët, prindërit dhe nxënësit se sistemi arsimor në Gjakovë do të mbetet një mjedis i sigurt për fëmijët tanë, dhe kushdo që tenton ta cenojë këtë siguri do të përballet me forcën më të rreptë të ligjit dhe me largim të menjëhershëm nga institucionet tona”, ka thënë Gjini

Të ngjashme

Të fundit