Dokumenti i Qeverisë për Specialen në Hagë, ja çfarë përfshin strategjia për Apelin

- Advertisement -

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur dje ka marrë vendim që të themelohet grupi punues për hartimin dhe harmonizimin e strategjisë shtetërore lidhur me procedurat e Apelit para Dhomave të Specializuara në Hagë, si edhe për bashkërendimin e veprimeve institucionale dhe diplomatike për dokumentimin, mbrojtjen dhe afirmimin e së vërtetës historike të luftës çlirimtare të Kosovës.

Në vendimin e qeverisë, thuhet se, grupi punues ka për obligim shqyrtimin e çështjeve me rëndësi strategjike dhe përgatitjen e propozimeve dhe rekomandimeve në zbatim të mandatit nga pika 1. e këtij vendimi, në përputhje me Kushtetutën, legjislacionin në fuqi dhe standardet ndërkombëtare të zbatueshme.

Tutje, shtohet edhe se, në ushtrimin e mandatit të tij, grupi punues merr parasysh deklaratën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të datës 28 shtator 2026, me synim bashkërendimin e qëndrimeve dhe veprimeve institucionale, në përputhje me kompetencat kushtetuese dhe ligjore të institucioneve përkatëse.

Tutje, shtohet edhe se, ky grup përbëhet nga Glauk Konjufca, zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme, kryesues; Një përfaqësues nga zyra e kryeministrit, anëtar; Një përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, anëtar; Një përfaqësues nga Ministria për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, anëtar; Një përfaqësues nga zyra e presidentes së Republikës së Kosovës, anëtar; Një përfaqësues nga kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, anëtar; Një përfaqësues nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, anëtar; Një përfaqësues nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, anëtar; Një përfaqësues nga grupi parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, anëtar; Një përfaqësues nga grupi parlamentar i Aleancës, anëtar; Një përfaqësues nga grupet parlamentare të komuniteteve joshumicë, anëtar./Gazetaexpress.

 

Të ngjashme

Të fundit