Eugen Cakolli nga DNV, ka reaguar pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit nga ana e KQZ-së.
Ai ka theksuar se kjo ka qenë vonesa më e gjatë që nga zgjedhjet e 2010, duke u bërë plot 34 ditë pas ditës së votimit.
Po ashtu, ai ka theksuar se KQZ-ja për herë të parë ka pasur gjashtë muaj kohë për t’u përgatitur për zgjedhjet parlamentare.
Postimi i plotë:
Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve u shpallën sot nga KQZ-ja, plot 34 ditë pas ditës së votimit – duke shënuar vonesën më të gjatë për shpalljen e rezultateve përfundimtare, që nga zgjedhjet e vitit 2010.
Megjithatë, shpallja e sotme nuk shënon përfundimin e procesit, por vetëm mbylljen e një kapitulli. Në 48 orët e ardhshme pritet të parashtrohen mbase qindra ankesa, trajtimi i tërësishëm i të cilave mund të zgjasë deri në 12 ditë. Prej tyre, gjithsej 6 ditë janë të parapara në PZAP dhe 6 të tjera në Gjykatën Supreme. Kjo, pa llogaritur vendimet që mund të marrin këto institucione, të cilat potencialisht mund të ndikojnë në certifikimin e rezultateve.
Edhe pse këto zgjedhje u mbajtën sipas ndryshimeve ligjore të vitit 2023, KQZ-ja, për herë të parë, ka pasur gjashtë muaj kohë për t’u përgatitur për zgjedhjet parlamentare. Prapëseprapë, këto vonesa nuk mund t’i atribuohen vetëm ndryshimeve, por menaxhimit joadekuat të procesit të numërimit nëpër QKN dhe QNR – që u shoqërua me zvarritje të panevojshme.