Galeria e Arteve në Prishtinë, në bashkëpunim me platformën qytetare “Liria Ka Emër”, do të hapë më 8 shtator ekspozitën “Ditari i një fotografi të luftës”, me fotografi të autorit Visar Kryeziu.
Ekspozita do të prezantojë përmes fotografisë momente, dëshmi dhe pamje të lidhura me periudhën e luftës në Kosovë, duke sjellë para publikut një rrëfim vizual mbi ngjarjet dhe kujtesën e asaj kohe.
Sipas njoftimit të publikuar nga “Liria Ka Emër”, ekspozita synon të shërbejë si një formë dokumentimi dhe ruajtjeje të kujtesës historike, ndërsa organizatorët e kanë cilësuar atë edhe si homazh për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe si mesazh mbështetjeje për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.






