Diomande po shndërrohet në figurë të rëndësishme te Reali, pas shtatë fitoreve në shtatë ndeshje si startues

- Advertisement -

Siç raporton gazeta “Diario AS”, Yan Diomande po shndërrohet me shpejtësi në një figurë të pazëvendësueshme te Real Madridi, me anësorin nga Bregu i Fildishtë që po luan një rol kyç në përmirësimin e formës së skuadrës nën drejtimin e Jose Mourinhos.

19-vjeçari, i transferuar gjatë afatit kalimtar të verës, pati një fillim jo edhe aq të mirë në kryeqytetin spanjoll, por tani ka shpërthyer me paraqitjet e tij, duke e bërë veten të padiskutueshëm në formacionin titullar.

Shkëlqimi i Diomandes u pa edhe të dielën e kaluar, kur ai ishte ndër më të mirët në fitoren bindëse të Real Madridit ndaj Racing Santanderit, duke realizuar një gol spektakolar.

Siç thekson raportimi, goditja e jashtëzakonshme e reprezentuesit të Bregut të Fildishtë ndaj skuadrës së sapongjitur në elitë arriti shpejtësinë prej plot 120.2 kilometrash në orë, ndërsa topi rrotullohej me 3.3 rrotullime në sekondë.

Ky ishte një tjetër gol i shkëlqyer në serinë e realizimeve të tij këtë sezon, pas goditjes së fuqishme me të djathtën nga jashtë zonës kundër Sevillas dhe volejit spektakolar në fitoren ndaj RB Leipzigut.

Me Vinicius Juniorin që po vuan një pezullim prej katër ndeshjesh në La Liga, talenti i ri e ka shfrytëzuar në maksimum mundësinë për të luajtur në krahun e majtë të sulmit.

Real Madridi i ka fituar të shtatë ndeshjet në të cilat Diomande ka qenë titullar, ndërsa kontributi i tij në fazën e fundit të sulmit e ka ndihmuar skuadrën të krijojë dhe të ruajë vazhdimësinë e rezultateve pozitive.

Në total, Diomande ka regjistruar katër gola dhe katër asistime në 14 paraqitje në të gjitha garat.

Nuk ka dyshime për ndikimin që Diomande ka pasur në serinë e fundit të rezultateve pozitive të Real Madridit që nga muaji tetor.

Në fakt, transferimi i verës ka regjistruar gjashtë kontribute direkte në gola pas ndeshjeve të kombëtareve, ndërsa ka kompletuar edhe 34 driblime, vetëm pesë më pak se Kylian Mbappe.

Megjithatë, rëndësia në rritje e Diomandes shkon përtej kontributit të tij në sulm. Mourinho është impresionuar edhe nga gatishmëria e tij për t’u kthyer prapa dhe për të ndihmuar skuadrën në fazën defensive, duke e bërë atë gjithnjë e më të vlefshëm në planet e trajnerit.

Pikërisht ky aspekt mund t’i japë atij përparësi ndaj Viniciusit, pasi braziliani të rikthehet nga pezullimi.

Mourinho nuk nxitoi me Diomanden, por i dha kohë që të përshtatej gradualisht me skuadrën. Durimi i trajnerit tashmë po shpërblehet në mënyrën më të mirë.

Ajo që mbetet interesante për t’u parë është nëse 19-vjeçari do ta ruajë vendin në krahun e majtë edhe pasi Vinicius të jetë sërish në dispozicion.

Të ngjashme

Të fundit