Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë dalë me një njoftim pas aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilët u shpallën fajtorë sipas tyre për disa krime lufte.
“Sot, më 16 shtator, Trupi Gjykues shqiptoi Aktgjykimin në çështjen gjyqësore të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit dhe i shpalli të katër të akuzuarit fajtorë për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme.
Trupi Gjykues i shpalli të akuzuarit të pafajshëm në lidhje me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit.
Gjykatësit konstatuan se gjatë konfliktit në Kosovë, z. Thaçi, z. Veseli, z. Selimi dhe z. Krasniqi dhanë kontribut të qenësishëm në zbatimin e qëllimit kriminal të përbashkët të shënjestrimit të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë të qëllimeve politike dhe ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë shqiptarë të Kosovës që kishin lidhje me forca politike ose ushtarake të tjera, si LDK-ja dhe FARK-u; persona që pretendohej se kishin lidhje me autoritetet e RFJ-së/Serbisë, dhe anëtarë të caktuar të pakicave të tjera etnike, ndër të cilët një numër romësh dhe serbësh.
Shënjestrimi i këtyre kundërshtarëve mori formën e vrasjeve; arrestimeve dhe ndalimeve pa proces ligjor të rregullt; keqtrajtimit fizik dhe psikologjik; si dhe forma të tjera të keqtrajtimit, frikësimit dhe ngacmimit.”, thuhet në njoftimin në X.






