Kjo ndërprerje e ndeshjeve ndërkombëtare i ka takuar Ligës së Kombeve të UEFA-s, me katër xhiro tashmë të zhvilluara.
Ndeshjet e kanë qartësuar situatën në grupe, duke përcaktuar më mirë rrugët drejt çerekfinaleve dhe hapin vendimtar përpara një vendi në katërshen e fundit.
Ja si funksionon Liga A. Dy skuadrat e para nga secili grup kualifikohen në çerekfinale.
Dy skuadrat më të dobëta që përfundojnë në vendin e tretë dhe dy skuadrat më të mira që përfundojnë në vendin e katërt luajnë në një “play-off” për të shmangur rënien nga liga, ndërsa dy skuadrat më të dobëta të renditura në vendin e katërt bien automatikisht në ligën më të ulët, raportoi gazeta spanjolle “AS”.
Deri tani, vetëm Portugalia dhe Spanja e kanë siguruar vendin në çerekfinale, të dyja me pikë maksimale (12 pikë).
Kanë mbetur edhe dy xhiro, që do të zhvillohen nga 12 deri më 17 nëntor. Pasi të përfundojë faza e grupeve, do të hidhet shorti për çerekfinalet (nga 25 deri më 30 mars 2027), ndërsa gjysmëfinalet janë caktuar për periudhën 9 deri më 13 qershor 2027.
Grupi 1
Franca kryeson me 10 pikë, tri më shumë se Italia e vendit të dytë. Belgjika është e treta me 6 pikë. Turqia është jashtë dhe do t’i duhej një mrekulli vetëm për të ngjitur në vendin e tretë.
Grupi 2
Në grupin më të ngushtë nga të gjithë, Holanda dhe Greqia janë të barabarta me nga 8 pikë. Gjermania, me 5 pikë, ende beson se mund ta fitojë grupin, ndërsa Serbia nuk ka asnjë pikë dhe po lufton për të shmangur rënien nga liga.
Grupi 3
Katër fitore radhazi gjatë kësaj ndërprerjeje i kanë dhënë Spanjës një epërsi të qartë në krye të Grupit 3, ndërsa La Roja tashmë e ka siguruar vendin në çerekfinale. Vetëm Anglia po e ndjek nga pas, duke u renditur e dyta me 9 pikë. Kroacia është e treta dhe nuk ka më gjasa reale për të arritur në tetë skuadrat e fundit, ndërsa Republika Çeke, pa pikë, ende mund ta shpëtojë veten nga rënia nga liga.
Grupi 4
Portugalia është kualifikuar në çerekfinale pasi ka marrë pikët maksimale (12 pikë), por vendi i parë nuk është ende i sigurt, pasi Danimarka renditet e dyta me 6 pikë. Uellsi dhe Norvegjia kanë edhe nga dy ndeshje për ta vendosur gjithçka: çerekfinalet, “play-off”-in ose rënien nga liga.






