Analistja Aida Dërguti, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje moti kohë i ka përdorur rrjetet sociale dhe sipas saj, është larg më e avancuar me profilet “fake”.
Ajo tha se nëse partitë opozitare do të provojnë në të njëjtën mënyrë të merren me pushtetin, e kanë të humbur këtë garë.
“Partitë opozitare në këtë garë janë të humbura nëse provojnë me të njëjtën mënyrë të merren me pushtetin, pasi derisa partitë tjera i kanë përdorur odat dhe kafenetë, Vetëvendosja i ka përdorur rrjetet sociale dhe mendoj se është larg më e avancuar edhe me profilet ‘fake’, edhe me linçimet edhe me raportimet që do t’i bëjnë, ku i kanë bllokuar njerëzve profilet”, tha Dërguti në Rubikon në Klan Kosova.
Më tej, Dërguti tha se ka gjasë që figurat kyçe të VV-së të mos dalin nëpër emisione gjatë fushatës zgjedhore, duke thënë se kjo mund të jetë strategji e tyre.
“Tani, mundësia e njerëzve që të dalin në studio është e pamundur t’iu mbyllet goja ndryshe përveç të kërkohet nga votuesit e tyre që të mos i përcjellin. Këta ka gjasë që të mos dalin nëpër emisione gjatë fushatës, mund të jetë strategji e tyre”, tha ajo.