Dërgimi i njësive speciale në Skenderaj, IKD: Instrumentalizim i policisë, ka shkaktuar shqetësim te qytetarët

- Advertisement -

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka shprehur shqetësim lidhur me zhvillimet e fundit dhe angazhimin e Njësive Speciale të Policisë së Kosovës në Skenderaj.

Përmes një reagimi, IKD ka bërë me dije se kjo ka krijuar perceptim të ndërhyrjes politike dhe instrumentalizimit të policisë për interesa partiake apo politike.

Sipas këtij instituti, dërgimi i njësive speciale ka shkaktuar shqetësim tek qytetarët në Skenderaj dhe publiku në Kosovë.

“Policia e Kosovës mbetet një ndër institucionet me të besueshme në Republikën e Kosovës. Ky besim dhe kjo mbështetje për Policinë e Kosovës nuk duhet të keqpërdoren dhe shfrytëzohen për interesa partiake dhe politike. IKD thekson qartë se dënon çdo formë të dhunës fizike, nga kushdo që kryhet dhe ndaj kujtdo që drejtohet. Personat e dyshuar për sulmin në fjalë duhet të trajtohen nga organet kompetente dhe të mbahen përgjegjës sipas ligjit. Drejtësia në raste të tilla duhet të jetë efikase, efektive dhe e paanshme, përmes procedurave të rregullta policore dhe hetimore, siç ndodh në rrethana normale për raste të ngjashme, dhe jo përmes pamjeve të mobilizimit të njësive speciale që krijojnë shqetësim te qytetarët, tensionojnë situatën në terren dhe japin përshtypjen e përdorimit të forcës policore për menaxhim politik të një incidenti të veçantë”, ka vlerësuar IKD, duke dhënë detaje tjera.

“Pavarësia profesionale dhe operative e Policisë së Kosovës përbën një ndër shtyllat kryesore të shtetit demokratik dhe sundimit të ligjit. Strukturat policore nuk mund dhe në asnjë rrethanë nuk duhet të përdoren për demonstrim force politike, presion institucional apo menaxhim politik të një rasti të vetëm. Kjo qasje dëmton seriozisht besimin e qytetarëve në institucionet e sigurisë dhe cenon parimet themelore të funksionimit demokratik të shtetit. Në një shtet demokratik, Policia e Kosovës duhet të veprojë ekskluzivisht mbi bazën e ligjit, vlerësimeve profesionale të sigurisë dhe zinxhirit të pavarur komandues operacional, e jo mbi kalkulime të politikave ditore. Vendimmarrja për angazhimin e njësive speciale duhet të jetë proporcionale, e arsyetuar dhe e bazuar në vlerësim real të rrezikut për rendin dhe sigurinë publike”, ka vlerësuar IKD

Të ngjashme

Të fundit