Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Metaj-Isufi, ka deklaruar se subjekti i saj politik është kundër mbajtjes së zgjedhjeve të reja parlamentare.
Ajo ka theksuar se partitë opozitare kanë dy mundësi për të zgjidhur çështjen e presidentit: të propozojnë një kandidat të pranueshëm ose të qëndrojnë në sallë për të siguruar kuorumin e nevojshëm për zgjedhjen e tij.
Sipas Metaj-Isufit, refuzimi i këtyre opsioneve do të ishte papërgjegjësi nga ana e opozitës
“Partitë opozitare i kanë dy mundësi: ose të dalin me një kandidat dhe të përmbyllet kjo çështje, ose të vazhdojnë të rrinë në seancë në mënyrë që të formojnë kuorumin dhe të përmbyllet edhe ky proces. Unë mendoj se është papërgjegjësi nëse i refuzojnë të gjitha veprimet që janë ndërmarrë deri më tani dhe të gjitha obligimet që i kanë. E fundit mbetet që të shkojmë në zgjedhje, edhe pse po e potencoj që Lëvizja Vetëvendosje, si subjekti fitues, është kundër kësaj, në mënyrë që të mos shpenzohet buxheti i shtetit, që mund të arrijë rreth 10 milionë euro, por të vazhdojë puna e qeverisë, ashtu siç e ka përcaktuar rezultati elektoral, i cili e përcakton shumë qartë se kush duhet të qeverisë me vendin, si dhe ndarjen e posteve”, ka thënë ajo në emisionin “Ditari” në Tëvë1.
Ndryshe, kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar të mërkurën se Kosova do të detyrohet të mbajë zgjedhje të “njëpasnjëshme” parlamentare, nëse partitë parlamentare nuk arrijë pajtueshmëri për zgjedhjen e presidentit të vendit, kur kanë mbetur më pak se një javë nga mbarimi i afatit kushtetues për këtë çështje.
Kurti, i cili është njëherësh edhe kryetar i partisë në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, tha për gazetarë se zgjedhjet e reja gjithashtu do t’i kushtonin vendit me humbje në vlerë dhjetëra milionë euro.
“Nëse shkojmë në zgjedhje të reja, nuk do të kemi zgjidhje, meqenëse sërish do të na duhet të shkojmë në zgjedhje të reja, e pas atyre sërish do të na duhet të shkojmë në zgjedhje të reja. Unë nuk e di se si mund t’i kemi 80 deputetë, prandaj është e domosdoshme të merremi vesh”, tha Kurti.
Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para të votimit, apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet.
Prandaj, nevojitet një marrëveshje mes partive parlamentare për këtë çështje, duke qenë se asnjëra parti – madje as ajo në pushtet e Kurtit me 57 deputetë – nuk e ka një numër kaq të madh deputetësh në Kuvendin me 120 vende.
Një afat kushtetues për zgjedhjen e presidentit skadon më 28 prill dhe nëse deri atëherë nuk zgjidhet një president, Kosova do të mbajë zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.






