Deputeti i LVV-së: Asociacioni nuk bëhet edhe nëse është kërkesë për anëtarësim në KiE

- Advertisement -

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendose, Mefail Bajqinovci ka thënë se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe nuk do të themelohet, edhe nëse kjo është kërkesë për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Ai ka kujtuar se për çështjen e veriut të vendit Kosova ka qenë në sanksione.

Pavarësisht se Asociacioni ishte kërkesë për pranim në KiE, Bajqinovci ka thënë se nuk beson që do të jetë.

“Qe pesë vjet kemi qenë, dhe se kemi zbatuar,  nëse zbatohet do të jemi në këtë studio dhe do të flasim bashkë. Jo, nuk besoj që bëhet, nuk bahet. Ne kemi qenë të sanksionuar për shkak të veriut, dhe nuk mundemi me lëshuar pe. Besoj se nuk mund të jetë kërkesë e Këshillit të Evropës, Asociacioni”, ka thënë ai në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.

I pyetur për deklaratat e zyrtarëve të LVV-së se edhe për çështjen e tokave të Manastirit deklaronin se nuk do ta zbatonin, ai ka thënë se ky ka qenë vendim i Gjykatës Kushtetuese.

Asociacioni ka qenë një nga temat me të nxehta në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kjo marrëveshje nuk është zbatuar nga Kosova, pavarësisht kërkesave dhe presionve të BE-së e ShBA-së, por edhe insistimit të Serbisë.

Kosova nuk është pjesë e Këshillit të Evropës, ndonëse aplikimi i saj ka kaluar në Asamblenë e Përgjithshme, por jo edhe në Këshillin e Ministrave të vendeve anëtare. Në këtë këshill nuk ka hyrë në rend dite çështja e pranimit të Kosovës.

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës.

Të ngjashme

Të fundit