Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Paris Guri, i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti, pasi ky i fundit sot foli për kthimin e 171 mjekëve në Kosovë gjatë vitit 2025.
Përmes një postimi në Facebook, Guri ka thënë se është ironike që kryeministri krenohet me kthimin e mjekëve nga jashtë, ndërkohë që në Kosovë ka qindra mjekë të papunë.
“Çfarë ironie! Krenohet me mjekët që po kthehen, ndërsa s’ka punë për mjekët që janë këtu!”, ka shkruar Guri.
Ai ka bërë të ditur se, sipas statistikave zyrtare që ka pranuar nga Oda e Mjekëve, në Kosovë janë 534 mjekë të papunë, prej tyre 91 specialistë.
“Kryeministër, ku janë punësuar këta 171 mjekë?”, ka pyetur deputeti.
Ndërkaq, Kurti sot ka marrë pjesë në hapjen e edicionit të katërt të “Swiss Medical School”, ku ka folur për atë që e quajti “kthimi i trurit”, si dukuri e kundërt me largimin e profesionistëve shëndetësorë nga Kosova.
“Vetëm gjatë vitit 2025, 171 mjekë u kthyen për të jetuar dhe punuar në Kosovë”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka thënë se i mirëpret mjekët që vendosin të jetojnë e të punojnë në Kosovë, ndërsa ka vlerësuar edhe kontributin e mjekëve që vazhdojnë të punojnë jashtë vendit, por kthehen për të ligjëruar, trajnuar mjekë të rinj dhe për të punuar krahas ekipeve shëndetësore në vend.






