Deputetët njoftohen për takim të Komisionit për Legjislacion, në rend dite Ligji për Specialen?

- Advertisement -

Komisioni për Legjislacion pritet të mblidhet nesër në orën 08:00, ndërsa në rend dite do të jetë Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Burime të Gazetës Express bëjnë të ditur se deputetëve u është dërguar mesazh me të cilin janë njoftuar për mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Sipas burimeve të Express, në njoftimin që u ka shkuar deputetëve thuhet se takimi do të mbahet nesër në orën 08:00.

Në rend dite është vetëm një pikë: Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Mbledhja vjen vetëm pak ditë pasi çështja e ndryshimit të këtij ligji ishte diskutuar në Komisionin për Legjislacion. Më 30 shtator, kryetari i Komisionit, Vigan Qorrolli, kishte bërë të ditur se projektligji i ishte përcjellë Ministrisë së Drejtësisë për mendim ligjor dhe kishte paralajmëruar se, pas kthimit në Kuvend, ai do të shqyrtohej me urgjencë nga Komisioni.

Ndërkohë, Qeveria ka dhënë mendimin e saj lidhur me nismën për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke vlerësuar se nuk ka pengesa ligjore për procedimin e saj.

Takimi i nesërm i Komisionit hap rrugën për procedimin e mëtejmë parlamentar të projektligjit që synon ndryshimin e Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Të ngjashme

Të fundit