Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka ironizuar me emërimin e Rina Dragidellës, mbesës së ministrit Xhelal Sveçla, në pozitën e Sekretares së Dytë në Ambasadën e Kosovës në Washington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Përmes një postimi në Facebook, Miftaraj ka ironizuar me tone thumbuese, duke e paraqitur Sveçlën si një dajë që uron mbesën për ngritjen në detyrë.
Miftaraj ironizon edhe me faktin se vetë Sveçla, sipas postimit, mëson nga mediat se mbesa e tij ishte punësuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në nëntor të vitit 2025.
Tutje Miftarja ka kritikuar atë që e përshkruan si sistemim të familjarëve të njerëzve të pushtetit në pozita jashtë vendit, në kurriz të buxhetit të Kosovës, ndërsa përmend edhe reagimet e militantëve të Vetëvendosjes ndaj atyre që ekspozojnë rastet e pretenduara të korrupsionit dhe nepotizmit.
Në fund, Miftaraj i drejtohet edhe ministrit të Jashtëm, Glauk Konjufca, duke e pyetur nëse edhe ai po e ndjek të njëjtën praktikë.
“Për ty Glauk menduam se nuk favorizon nepotizmin? A edhe ti Glauk? Filozofia Xheliane e ekzekutuar nga Z. Glauku!”, ka shkruar Miftaraj.






