Raportin 90 faqësh të ekspertëve britanik të të drejtave të njeriut, për punën e Gjykatës Speciale, nuk e kanë pritur aspak mirë Dhomat e Specializuara në Hagë.
Në një reagim publik, Specialja e ka akuzuar Avokatin e Popullit se po e keqinterpreton raportin.
Shqetësimin e njëjtë, së fundi Specialja ua ka përcjellur edhe ambasadave të shteteve të Bashkimit Evropian.
“Raporti nuk ka asnjë ndikim në punën e Dhomave të Specializuara. Në deklaratën e saj të fundit, Dhomat e Specializuara trajtuan keqinterpretimin e përmbajtjes së raportit në komentet e bëra nga Avokati i Popullit i Kosovës dhe media. Ishte pikërisht kjo deklaratë publike që Dhomat e Specializuara e kanë ndarë me palët e interesuara në një email, si pjesë e përpjekjeve të saj për t’i mbajtur ata të informuar mbi zhvillimet procedurale publike dhe njoftimet për shtyp nga Dhomat e Specializuara”, ka thënë Angela Griep – zëdhënëse e Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Megjithatë, të gjeturat e raportit i kanë mbështetur mbrojtja e katërshes së UÇK-së që po gjykohet në Hagë, duke theksuar se asnjë ankesë e tyre nuk është pranuar gjatë gjithë procesit.
Ndërkaq, efekti i këtij raporti, konsiderohet se mund t’ia cenoj besueshmërinë Gjykatës.
“Mund të ndryshojë qasjen e sponzorisueve të atyre shteteve që e mbështesin aspektin financiar në funksionimi e kësaj Gjykate. Dhe, në aspektin tjetër mund të ketë një rritje të ndikimin në besueshmërinë e qytetarëve të Republikës së Kosovës në punën dhe vendimet të cilat i nxjerrë kjo Gjykatë”, thotë juristi Anton Nrecaj
Në anën tjetër, konsiderohet se shtetet financuese të Gjykatës Speciale, do duhet të kërkojnë llogari për shqetësimet e ngritura nga raporti i britanikëve.
“Të ngrenë zërin ndaj këtyre padrejtësive dhe të kërkojnë llogari sepse në instancë të fundit taksat e qytetarëve të vendeve të tyre nuk duhet të shkojnë në procese të tilla, në procese të padrejta e procese të stërzgjatura, në procese në të cilat cënohen parimet bazë të drejtësisë penale”, shprehet avokati, Ardian Bajraktari.
Ndër konstatimet e britanikëve ishte se paraburgimi i gjatë, pabarazia e armëve mes palëve, pyetjet e gjyqtarëve në mënyrë sugjestive, mosfiltrimi i provave nga Serbia, e mbylljet e seancave gjyqësore.






