24.4 C
New York
Wednesday, October 30, 2024

Buy now

Çka parasheh Ligji për KPM-në që nxiti edhe reagimin e ndërkombëtarëve, opozita do ta dërgojë në Kushtetuese

- Advertisement -

Deputetë e Kuvendit të Kosovës në seancën e 11 korrikut e kanë miratuar Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), i cili mes tjerash parasheh licencimin e mediave online, monitorimin e tyre dhe gjoba deri në 40 mijë euro.

Ky projektligj u miratua në lexim të dytë me 59 vota për, asnjë kundër dhe dy abstenime.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, gjatë prezantimit të këtij projektligji tha se Komisioni parlamentar për integrim, ka deklaruar se amendamentet e projektligjit janë pjesërisht në pajtim me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

“Nuk paskam parë ndonjëherë kësi konstatimi që janë pjesërisht. Ka çështje të cilat në mënyrë universiale nuk trajtohen nga legjislacioni i BE-së, prandaj shtetet i rregullojnë sipas mënyrave të veçanta të tyre”, tha Konjufca.

Sipas tij, nuk duhet votuar diçka që është në kundërshtim me legjislacionin e BE-së.

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, shprehu keqardhje që Kuvendi e miratoi ligjin “pa i adresuar shqetësimet” dhe nuk u rreshtua përkrah standardeve të BE-së.

“Kuvendi i Kosovës e humbi sot një mundësi të mirë për t’i pasur dy ligje të mira….Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave, pasi dështoi t’i fusë plotësisht të gjitha rekomandimet e BE-së dhe të organizatave të tjera ndërkombëtare”, tha Szunyog.

Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, tha se Kosova i shpërfilli qëndrimet e BE-së, Këshillit të Evropës dhe OSBE-së për këtë ligj.

“Kosovarët duan të jenë pjesë e familjes evropiane dhe, nëse Qeveria e Kosovës dëshiron ta përshpejtojë rrugën e saj drejt BE-së, atëherë çdo ligj i ri duhet të jetë plotësisht në përputhje me standardet evropiane”, shkroi Rohde në X.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) tha në një reagim në Facebook se e ka pranuar me “shqetësim” miratimin e Projektligjit dhe kërkoi të kundërshtohet futja në fuqi e tij.

“Votimi i sotëm është prej goditjeve më të mëdha që Qeveria e Kosovës dhe Vetëvendosje ka bërë kundër lirisë së medies në Kosovë, në një përpjekje të nisur qysh prej fillimit të mandatit për disiplinimin dhe kontrollimin e tyre”, tha AGK-ja.

Në votim nuk morën pjesë deputetët e partive opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), të cilët u larguan nga seanca pasi që kërkesa e tyre për largimin e këtij projektligji nga rendi i ditës nuk u përkrah nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

LDK-ja dhe PDK-ja e kanë kundërshtuar këtë ligj dhe njoftuan të enjten pasdite se do ta dërgojnë atë në Gjykatës Kushtetuese.

Pas votimit reagoi juristja e mediave, Flutura Kusari, e cila tha se “sot është ditë e errët për demokracinë dhe lirinë e shprehjes dhe medias në Kosovë”.

Për të hyrë në fuqi, Projektligji për KPM-në pas miratimit në Kuvend duhet të nënshkruhet nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Qeveria e Kosovës ka thënë se me këtë ligj kanë ruajtur pavarësinë e mediave nga ndikimi politik.

Përmes një shkrimi në Facebook në faqen e Qeverisë thuhet se ky ligj u kërkua për vite me radhe nge BE përmes Raportit për Vendin.

Në njoftimin e tyre, Qeveria ka arsyetuar edhe gjobat duke thënë se “janë harmonizuar me Ligjin në fuqi për Kundërvajtjet. Është detyrë e jona të sigurojmë harmonizimin dhe zbatimin efikas të ligjeve tona kombëtare”.

Çfarë parasheh projektligji për KPM-në?

Projektligji i miratuar të enjten, më 11 korrik, parasheh licencimin dhe kontrollimin e mediave online që prodhojnë video prej KPM-së, më herët në këtë organ kanë qenë të obliguara që të regjistrohen vetëm mediat audio-vizuale.

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) – i themeluar në vitin 2005 – është organ kompetent për rregullimin, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e spektrit të frekuencave të transmetimit në Republikën e Kosovës.

Sipas këtij projektligji, mediat që funksionojnë si organizata joqeveritare do të duhen të hapin kompani që t’i plotësojnë kushtet e licencimit nga KPM-ja.

Po ashtu, mediat duhet të marrin leje prej KPM-së në rast të ndryshimit të pronësisë mbi 10 për qind.

Sipas tij, mediat online do t’i nënshtrohen regjimit të sanksioneve me vlerë në deri 40.000 euro për shkeljet eventuale siç janë: mosrespektimi i ligjit, mosdorëzimi i raportit vjetor tek KPM-ja brenda afatit, mosruajtja e arkivit të transmetimeve, mosrespektimi i kohës së përcaktuar për transmetim, si dhe për disa raste të tjera.

Përveç përfshirjes së mediave online që prodhojnë video nën monitorimin e KPM-së, ligji i ri parasheh edhe rritjen e numrit të anëtarëve të KPM-së nga shtatë në 11 dhe zgjatjen e mandatit të tyre.

Anëtarët e KPM-së votohen nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe, sipas Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), kjo rritje e stafit në KPM mund të keqpërdoret nga Qeveria “për t’i dërguar njerëzit e tyre”, të cilët do të mund të qëndronin më gjatë në pozitat e tyre, duke rrezikuar kështu, sipas tyre, pavarësinë e KPM-së.

Ndërkohë, për këtë projektligj, ditë më parë ka reaguar edhe Zyra e BE-së në Kosovë, duke thënë se pavarësisht se versioni aktual ka përfshirë disa rekomandime të Këshillit të Evropës, legjislacionit i duhen rishikime të mëtejme që të përmirësohet qartësia ligjore dhe të përshtatet edhe më shumë me standardet e bllokut evropian dhe Këshillit të Evropës.

Ky projektligj është miratuar nga Qeveria e Kosovës më 27 dhjetor të vitit të kaluar, dhe është dërguar për miratim në Kuvendin e Kosovës, ku është miratuar në lexim të parë më 7 mars të këtij viti.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK) i patën bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të heqë dorë menjëherë prej ndryshimeve në projektligj, pasi diçka e tillë ishte konsideruar “sulm mbi mediat”.

Misioni i OSBE-së dhe i BE-së më herët kanë thënë se mbështesin qëllimin e projektligjit për të harmonizuar legjislacionin e Kosovës me dispozitat përkatëse të BE-së, duke përfshirë Direktivën e shërbimeve audio-vizuale, por, “siç thekson raporti i Këshillit të Evropës, nevojitet më shumë punë në draft për të siguruar që ai mos të nënvlerësojë pavarësinë e KPM-së dhe as të mos krijojë mospërputhje ligjore”./REL

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit