Pas ndërprerjes së radhës të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po e bllokon procesin e konstituimit të Kuvendit.
Gruda tha se PDK është e gatshme të votojë për çdo kandidat për nënkryetar të Kuvendit, përfshirë edhe propozimet që vijnë nga subjektet tjera politike.
“PDK voton çdo nënkryetar që propozohet. PDK voton çdo lloj kandidimi dhe çdo propozim që vjen për t’u votuar në Kuvend”, deklaroi Gruda.
Sipas tij, PDK do t’i mbështesë propozimet, nëse Lëvizja Vetëvendosje garanton se pas përfundimit të këtij procesi do të bëjë konstituimin e Kuvendit.
“Ne do të votonim nëse VV garanton se do ta konstituojë Kuvendin sot. Përndryshe, mund të mos kemi Kuvend deri më 16 shtator”, tha Gruda.
Ai gjithashtu u shpreh se propozimi i Listës Serbe nuk paraqet problem sa i përket procedurave të votimit.
“Edhe ajo që u tha se Lista Serbe ka propozuar, nuk ka pasur problem. Çdo lloj procedure, PDK e voton”, theksoi ai.
Gruda e cilësoi situatën si një tjetër përpjekje për zvarritjen e konstituimit të Kuvendit, duke pretenduar se shumica parlamentare nuk po tregon vullnet për përfundimin e procesit.
“Ky është një bllokim për një lojë të radhës. Nuk po duan ta konstituojnë Kuvendin”, tha deputeti i PDK-së.






