Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka deklaruar se për shkak të mungesës së kuorumit, mbledhja e Kryesisë së Kuvendit ka dështuar të mbahet, duke bërë të ditur se nuk është arritur të caktohet as seanca e radhës dhe as vazhdimi i seancës së ndërprerë, ku ka mbetur për votim Ligji për Dhomat e Specializuara.
Në një konferencë për media pas dështimit të mbledhjes, Çitaku tha se nuk kanë arsye të besojnë se vonesa në votimin e këtij ligji është e qëllimshme.
Ajo theksoi se ligji nuk është çështje e një partie politike, por lidhet me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-pjesëtarët e saj.
“ Të nderuar të pranishëm, sot fatkeqësisht mungoi kuorumi në Kryesinë e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe nuk arritëm të caktonim as seancën e radhës, as vazhdimin e seancës së ndërprerë, ku ka mbetur për votim Ligji për Dhomat e Specializuara. Nuk e kemi asnjë arsye të besojmë që kjo vonesë është e qëllimshme. Ky ligj nuk është i një partie politike. Ky ligj nuk është për një parti politike. Ky ligj është për ushtrinë, çlirimtarët e Kosovës dhe procesin e padrejtë që po zhvillohet në Hagë”, deklaroi Çitaku.
Ajo tha se, pavarësisht dallimeve politike ndërmjet partive parlamentare, çështja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe çlirimtarëve është temë që i bashkon ato.
“Dhe përkundër dallimeve të thella politike që kemi me subjektet parlamentare në Kuvendin e Republikës së Kosovës, përkundër qëndrimeve të ndryshme që kemi në të gjitha pikat, nga shëndetësia në energjetikë, ka një temë që na bashkon të gjithëve: ushtria, çlirimtarët e Kosovës. Dhe ky unitet që është parë në dy leximet e para të ligjit, ky unitet që është vërtetuar edhe ditën kur u arrit shmangia nga procedura, ligji hyri në ratifikim ditës, besoj që do të reflektohet edhe ditën kur ky ligj do të jetë sërish në votim”, u shpreh ajo.
Çitaku tha se, bazuar në bisedimet që kanë zhvilluar me subjektet politike që e kanë mbështetur më parë ligjin, pret që i njëjti të votohet sërish, duke shtuar se votimi pritet të ndodhë brenda kësaj jave.
“Dhe unë nuk kam asnjë arsye të dyshoj, nga bisedimet e shumta që kemi pasur me subjektet politike që e kanë votuar edhe herë më parë, që e njëjta do të ndodhë sërish, dhe ne presim që e njëjta të ndodhë brenda javës”, tha Çitaku.
Ajo bëri të ditur se anëtarët e Kryesisë janë dakorduar që mbledhja të mbahet të nesërmen, me qëllim të caktimit të vazhdimit të seancës së ndërprerë dhe pikave për seancën e re.
“Ne sot u dakorduam që të bëjmë mbledhjen e Kryesisë nesër, në mënyrë që të caktohet edhe vazhdimi i seancës, edhe pikat për seancën e re”, njoftoi ajo.
Çitaku foli edhe për procesin e amendamentimit të ligjit, duke thënë se ai do të nisë menjëherë pas votimit dhe hyrjes së tij në fuqi.
Ajo përmendi edhe pajtimin që, sipas saj, kanë pasur me Lëvizjen Vetëvendosje dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës lidhur me përmbajtjen e ligjit, duke theksuar se dallimet kanë qenë në aspektin procedural.
“Menjëherë pas votimit dhe hyrjes së ligjit në fuqi, ne do të fillojmë procesin e amendamentimit. E kemi thënë edhe më herët, me Lëvizjen Vetëvendosje dhe me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës kemi pasur pajtim për përmbajtjen, dallimet kanë qenë në procedurë. Ne kemi besuar fuqimisht, bazuar në nenin 84 të Rregullores së Punës së Kuvendit, që do të mund të ndërhyjmë në përmbajtjen e ligjit në leximin e tretë”, deklaroi Çitaku.






