Legjenda e Real Madridit, Dani Carvajal, ka pranuar se në fund e kishte kuptuar që koha e tij te klubi madrilen kishte përfunduar, pasi kishte hasur vështirësi për të siguruar minuta të rregullta në muajt e fundit të qëndrimit në “Santiago Bernabeu”.
Ish-kapiteni dhe ikona e klubit i dha fund një qëndrimi 13-vjeçar në kryeqytetin spanjoll. Ai ka treguar se sa e vështirë ishte për të të largohej, por rrethanat e kishin shtyrë të merrte këtë vendim.
Në një intervistë në kanalin e Mario Suarezit në YouTube, të cilën e ka përcjellë “Mundo Deportivo”, Carvajal shpjegoi se mungesa e vazhdimësisë në lojë, pavarësisht përpjekjeve në stërvitje dhe minutave që kishte marrë, e kishte bërë të dyshonte për të ardhmen e tij te Real Madridi.
Pas bisedimeve me drejtuesit e klubit, të dyja palët kishin rënë dakord se kishte ardhur koha që rrugët e tyre të ndaheshin.
“Në fund të sezonit të kaluar, kuptova se nuk po merrja vazhdimësinë në lojë që e meritoja në bazë të meritave, si në stërvitje, ashtu edhe në minutat që luaja. Pikërisht atëherë mora vendimin e përbashkët me klubin për t’u ndarë”, deklaroi Carvajal.
“Kisha dyshime gjatë muajve të fundit. Do të kisha dashur ta dëshmoja sërish veten duke luajtur më shumë, por e kuptova se koha ime kishte përfunduar”, shtoi ai.
Mbrojtësi i djathtë, i cili ndërkohë ka nënshkruar me Getafen, pranoi gjithashtu se sezoni i fundit ishte veçanërisht i vështirë për të, për shkak të pasigurisë rreth të ardhmes së tij dhe mundësisë për ta humbur Kupën e Botës.
“Viti i kaluar ishte më i vështiri. E sheh që nuk ke vazhdimësi në lojë, e sheh që kontrata jote skadon në qershor dhe e sheh se Kupa e Botës po të largohet nga duart. Natën fle i qetë, sepse e di që kam dhënë gjithçka nga vetja”, theksoi ai.
Duke kujtuar ndeshjet e fundit me fanellën e Real Madridit, ku luajti në dy përballjet e fundit të sezonit 2025/26 ndaj Sevillas dhe Athletic Clubit, Carvajal tha: “Luajta në dy ndeshjet e fundit. Kundër Sevillas dhe në ditën e lamtumirës sime. Dhe u ndjeva mirë. Të mbetet gjithmonë pyetja se çfarë do të kishte ndodhur nëse do të kisha pasur pak më shumë minuta lojë dy muaj më herët”.
“Është një ndjenjë që të mundon pak, sepse nuk e di nëse do të kisha mundur ta ruaja atë nivel edhe për një vit tjetër te Madridi apo jo”, shtoi ai.
Pavarësisht se kishte marrë disa oferta, Carvajal kishte dëshirë të qëndronte në kryeqytetin spanjoll, gjë që ndikoi shumë në vendimin e tij për t’u transferuar te Getafe.
“Kisha mjaft oferta, por dëshiroja të qëndroja në Madrid. Aktualisht, prioriteti im është stabiliteti i fëmijëve të mi”, u shpreh ai.
34-vjeçari zbuloi gjithashtu se pas largimit nga Real Madridi i kishte shkuar në mendje edhe ideja e pensionimit nga futbolli.
“Kishte momente kur thosha se dëshiroja të tërhiqesha, por bashkëshortja ime e dinte se nuk e kisha plotësisht seriozisht. Mendja ime ende nuk ishte gati për t’u pensionuar.
“Familja dhe miqtë më thoshin: ‘Nuk ke nevojë t’i dëshmosh asgjë askujt, bëje atë që ndien se është e drejtë’. Dhe kështu vendosa për Getafen”, përfundoi Carvajal./






