Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, njëherit nënkryetarja e Kuvendit, Vlora Çitaku ka njoftuar se vendi pashmangshëm po shkon drejt zgjedhjeve të reja.
E, për këtë përgjegjësinë sipas Çitakut e ka vetëm Lëvizja Vetëvendosje.
“Siç është parë tashmë, Kosova është pa institucione të konstituara, pa president apo presidente të zgjedhur, jo për mungesë kohe, po për mungesë vullneti politik nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje. Partia Demokratike e Kosovës ka qenë jashtëzakonisht konstruktive dhe është munduar që vendit t’i japë president, mirëpo çfarë ka kërkuar Lëvizja Vetëvendosje, përkatësisht Albin Kurti, është subordinim, është nënshtrim i vullnetit politik të deputetëve të zgjedhur karshi tij. E një gjë e tillë nuk ndodh. Tashmë është e qartë, vendi pashmangshëm po shkon drejt zgjedhjeve, mirëpo është vetëm një adresë e përgjegjësisë, e ajo është Lëvizja Vetëvendosje”, tha Çitaku
Për deklaratat e kryeministrit, Albin Kurti, lidhur me zgjedhjet siç ka deklaruar ai që do të jenë të njëpasnjëshme, nënkryetarja e Kuvendit tha se këto zgjedhje janë paralajmëruar qysh në dhjetor.
Ajo, ka bërë të ditur se nuk do të jenë prezent në sallë për votim të presidentit, duke shtuar se nuk do t’ia bëjnë kuorumin Albin Kurtit.
“Po një gjë është e qartë po besoj, Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti janë mjeshtër shkëlqejnë vetëm në dy fusha: në prodhimin e krizave dhe në propagandë. Zgjedhjet që pritet të mbahen tani në qershor janë paralajmëruar nga zoti Kurti menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve të dhjetorit dhe kjo është e qartë. Ka bërë një kalkulim të gabueshëm, ka pritur që opozita do t’i nënshtrohet, edhe siç po shihet nga deklarimet e tij, ai sërish pret që opozita do t’i nënshtrohet, po PDK nuk i nënshtrohet vullnetit politik të Albin Kurtit. E kemi bërë të qartë, kur është në pyetje interesi shtetëror, ne nuk shohim ngjyra partiake. Kemi votuar marrëveshje ndërkombëtare, kemi votuar zgjatjet buxhetore, po është tërësisht e pakuptimtë që tani e dy vite ne flasim për emra të përveçëm të pushtetarëve kush është kryeparlamentar, kemi humbur muaj të tërë këtu, kush do të bëhet president e nuk flasim për hallet e vërteta të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Ne nuk shkojmë në sallë për të bërë kuorum dhe për t’u nënshtruar vullnetit politik të Albin Kurtit”, tha Çitaku
“Thënë të drejtën, është e paprecedent që ambasadori që shërben në Bruksel, detyra e të cilit është që të mirëmbajë raportet e Kosovës me Bashkimin Evropian dhe me Belgjikën sepse kam përshtypjen që ambasadori është edhe ambasador bilateral atje, të ngarkohet me detyrën e dialogut Kosovë-Serbi”, tha Çitaku.





