Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, pas mbledhjes së Kryesisë së kësaj partie, ka deklaruar se Kosova ndodhet në një situatë të paprecedentë, duke akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për shkelje të Kushtetutës.
“Po besoj që tashmë e keni pranuar komunikatën për shtyp nga mbledhja e Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës. Kosova është në një terren tërësisht të pashkelur më parë. Askush nuk do të kishte imagjinuar që në vitin 2026, me një lehtësi të padurueshme, njeriu që ka marrë një numër të jashtëzakonshëm të votave në Kosovë, e shkel Kushtetutën e këtë jo një herë, po në mënyrë serike disa herë”, ka thënë Çitaku.
Ajo ka deklaruar se PDK-ja do t’i intensifikojë aktivitetet e saj dhe do të përdorë, siç tha, çdo mjet demokratik, qytetar, politik dhe publik.
“Ne do të intensifikojmë aktivitetet tona, do të përdorim çdo mjet demokratik, qytetar, politik e publik për të kthyer Kosovën në binarë të drejtë. Ky vend, kjo Republikë, kjo Kushtetutë është miratuar me shumë mund, me shumë gjak, me shumë sakrificë dhe ne nuk do të lejojmë që të nëpërkëmbet”, ka deklaruar Çitaku.






