Në emisionin “Click” në RTV21, Çitaku tha se retorika dhe veprimet e LVV-së cenojnë kulturën demokratike dhe bashkëjetesën politike.
“Ajo që kërkon Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti është shembja e themeleve demokratike. Ideologji të tilla vendi ynë i ka njohur edhe më herët dhe ato kanë rezultuar të rrezikshme. Prandaj, kjo qasje duhet të na shqetësojë të gjithëve”, deklaroi Çitaku.
Ajo kritikoi edhe përdorimin e termit “vija të kuqe”.
“Termi ‘vija të kuqe’, i krijuar nga të tjerët për PDK-në, duhet të jetë i papranueshëm në demokraci. Demokracia ndërtohet mbi komunikim dhe dialog. Unë e shoh shumë të vështirë që me LVV-në të gjendet qoftë edhe një formë komunikimi, e lëre më bashkëpunimi. Ata nuk kanë krijuar asnjë hapësirë për të folur me të tjerët dhe duhet të reflektojnë”, tha ajo.
Çitaku akuzoi Kurtin për përçarje të shqiptarëve në rajon dhe diasporë.
“Albin Kurti është kryepërçarësi i shqiptarëve. Ai i ka përçarë shqiptarët në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Luginën e Preshevës dhe në Mal të Zi. Ka tentuar t’i përçajë shqiptarët edhe në Shqipëri. Fatkeqësisht, ka krijuar ndarje edhe brenda diasporës dhe tani po synon të krijojë përçarje mes qytetarëve që jetojnë në Kosovë dhe bashkatdhetarëve tanë që jetojnë jashtë vendit”, deklaroi Çitaku.
Sipas saj, raporti me diasporën nuk duhet të ndërtohet mbi interesa elektorale.
“Është e papranueshme. Secili prej nesh ka familjarë që jetojnë në diasporë. Përpjekja për të krijuar një hendek mes nesh dhe bashkatdhetarëve tanë duhet të refuzohet nga të gjithë. Ne nuk e shohim mërgatën si fond elektoral. Ata janë familja jonë dhe pjesë e pandashme e shoqërisë sonë”, përfundoi Çitaku.






