Në mbledhjen e kuvendit komunal të Prishtinës është duke u duke u diskutuar propozim-vendimi për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të pronës së palujtshme të komunës, lokacioni “Tulltorja”.
I pari që e mori fjalën është kryetari i komunës, Përparim Rama i cili foli për këtë propozim.
Derisa Rama ishte në foltore, fjalimi i tij u përcoll me goditje të tavolinës dhe zhurma të asamblistëve të VV-së.
Kryetari i Prishtinës mohoi se kjo tokë po falet. Ai tha se kjo tokë vetëm po jepet në shfrytëzim për t’u zhvilluar dhe se kryeqyteti do të përfitoj 1 milion euro në vit.
“Kjo tokë nuk falet, toka mbetet pronë e kryeqytetit! Jepet në shfrytëzim për t’u zhvilluar dhe për këtë shfrytëzim kryeqyteti përfiton 1 milion euro në vit, 50 vjet, mbi 50 milionë. Pas përfundimit të periudhës së shfrytëzimit, jo vetëm toka, por edhe aseti i ndërtuar në të mbetet i kryeqytetit, prandaj mos e dezinformoni qytetarin duke thënë se po falet toka, nuk po falet asnjë metër pronë komunale. Prishtina po zgjerohet kah Lipjani dhe Graçanica. Po i shtyjmë bizneset e kryeqytetit drejt komunave tjera. Ne duhet të zhvillojmë Prishtinën brenda Prishtinës. Tulltorja është një mundësi e tillë. Projekti e parasheh edhe parkingun nëntokësor. Nuk po vendosim për një parcelë, po vendosim se a do ta lëmë një pronë publike të pazhvilluar, të pasigurte, vend të problemeve, që pas andej varet prej 100 eurove që i shkepni ju apo do ta kthejmë në zhvillim, në të hyra, vende pune dhe aset për kryeqytetin tash dhe për gjeneratat e ardhshme.”, tha ndër të tjera Rama.






