“Prej përfundimit të luftës, por edhe gjatë saj e kam vërejt sepse jemi ballafaquar me këtë. Është një aleancë jo formale prej faktorëve të ndryshëm vendorë e ndërkombëtarë që populli ynë e historia jonë të distancohet nga UÇK-ja. Dhe produkt i kësaj është edhe Gjykata Speciale”, u shpreh ai.
Ai më tej u shpreh shumë i pakënaqur me angazhimin e Qeverisë rreth çështjes së Gjykatës Speciale.
Vendimi për dënimin me 26 vjet burgim të Salih Mustafës nga Gjykata Speciale po konsiderohet shokues dhe totalisht i papritur për Çekun. Ai thotë se Kosova është para një rreziku shumë të madh historik.
Duke komentuar aktakuzën, Çeku theksoi se nëse udhëheqësit e UÇK-së dënohen për ndërmarrje e përbashkët kriminale, atëherë siç thotë ai, e gjitha lufta e UÇK-së del të jetë e atillë.
Tutje, ai tha se kjo duhet të kundërshtohet dhe të bëhet e ditur se lufta e UÇK ka qenë luftë çlirimtare.
“Ne jemi para një rreziku shumë të madh historik. Du me lidh pak me rastin e Kroacisë. Aktakuza është ndërmarrje e përbashkët kriminale – në qoftë se udhëheqësit kryesor të UÇK-së dënohen për ndërmarrje e përbashkët kriminale, atëherë edhe lufta jonë në UÇK del të jetë kriminale…pa marrë parasysh që dikush po thotë se ne individë po i gjykojmë, nuk është e vërtet, është arsyetim. Kosova, kushdo të jetë në qeveri, duhet të bëjë përpjekje, lobim çdo ditë, çdo kund të thonë që lufta jonë nuk ka qenë ndërrmarrje e përbashkët kriminale, ka qenë luftë çlirimtare. Kështu që shumë pak bëhet në këtë drejtim”, tha ai në “Info Nata” në Tëvë 1.
Ish-kryeministri shtoi se themelet e shtetit janë ndërtuar mbi gjakun e dëshmorëve “dhe dikush ta njollos të thotë s’ka qenë ashtu, kushdo që të jetë në Qeveri apo Presidencë e ka për obligim ta mbroj të kaluarën tonë”. /Teve1.info/