Ish-kryeministri suedez, Carl Bildt, një njohës i politikave të rajonit, ka komentuar deklaratën e ministres serbe, Snezhana Paunoviq, pasi ajo tha ditë më parë se do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën” në vitin 1998 po të ishte në vendin e kriminelit të lufës, Sllobodan Millosheviq.
Bildt thotë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, s’mund të qëndrojë pasiv përballë kësaj.
“Kjo është skandaloze për një anëtare të Qeverisë së Serbisë. Sigurisht që nuk i ndihmon perspektivës evropiane të vendit – përkundrazi. Nuk besoj se presidenti Vuçiq mund të mbetet pasiv përballë kësaj”, shkroi ai.
Qeveria në Serbi nuk është distancuar nga deklarata e Paunoviqit, përkundrazi.
Zëvendëskryeministri Ivica Daçiq, i cili është kryetar i Partisë Socialiste të Serbisë ku bën pjesë edhe Paunoviq, e mbrojti deklaratën e saj.
Ai cilësoi “të turpshme dhe hipokrite sulmet” ndaj ministres Paunoviq, duke theksuar se ata që e akuzojnë atë “për nxitje të pretenduar të spastrimit etnik, prej vitesh heshtin për spastrimin etnik të serbëve nga Kosova”.
As Paunoviq s’u zmbraps nga deklarata pavarësisht reagimeve të Brukselit.
Ajo përforcoi deklaratën e saj, duke thënë se “nuk heq dorë” nga politika e Partisë Socialiste të Serbisë, partinë me të cilën kishte udhëhequr Millosheviq e sot Daçiq – pjesë e së cilës është që nga viti 1992.
“Ne jemi partia që e udhëhoqi Serbinë në rrethana jashtëzakonisht të vështira historike, partia që bëri sakrifica të mëdha – emri i së cilës është përmendur më së shumti në Hagë”, shkroi ajo në rrjetet sociale.






