Cakolli: Vetëvendosje ka humbur çerekun e elektoratit brenda Kosovës

- Advertisement -

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka vlerësuar se numri dukshëm më i ulët i votuesve në zgjedhjet e fundit përbën një sinjal të qartë të pakënaqësisë së qytetarëve ndaj krizave të vazhdueshme politike në vend.

Duke folur në RTV Dukagjini, Cakolli tha se në këto zgjedhje kanë marrë pjesë rreth 200 mijë votues më pak krahasuar me zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit të kaluar.

“Fakti që janë rreth 200 mijë votues më pak në këto zgjedhje sesa në zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit të kaluar është indikacion i qartë që qytetarët nuk përkrahin kriza politike dhe unë besoj se është një mesazh për të katër subjektet politike shqiptare që qytetarët janë të lodhur nga krizat e njëpasnjëshme”, tha ai.

Sipas Cakollit, përveç ndikimit që ka pasur mungesa e votave nga diaspora, të gjitha subjektet politike kanë shënuar rënie në numrin e votave kur analizohet dallimi neto i mbështetjes elektorale.

Ai theksoi se humbjen më të madhe e ka pësuar Lëvizja Vetëvendosje, si në numër votash ashtu edhe në përqindje.

“Ajo çka bie në sy është që rënien absolutisht më të madhe si në vota ashtu edhe në përqindje del ta ketë Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka humbur gati 150 mijë vota, që në kuadër të dallimit në mes të votave brenda vendit, i bie që e ka humbur çerekun e elektoratit të saj brenda Kosovës, ndonëse përqindja e saj është vetëm rreth 7 sosh”, tha Cakolli.

Të ngjashme

Të fundit