5.8 C
New York
Tuesday, November 17, 2026

Buy now

Cakolli ngre dilema për llogaritjen e paraburgimit të Thaçit: Dënimi mund të arrijë në 26 vjet e 5 muaj

- Advertisement -

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka ngritur shqetësime lidhur me mënyrën e llogaritjes së kohës së kaluar në paraburgim për ish-presidentin Hashim Thaçi pas aktgjykimit të sotëm për pengim të drejtësisë, raporton Ekonomia Online. Cakolli ka bërë të ditur se Thaçit i janë shqiptuar edhe 17 muaj burgim për këtë vepër, ndërsa gjykatësi ka vendosur që ky dënim të vuhet veçmas nga dënimi prej 25 vjetësh në rastin kryesor.

Sipas tij, nëse të dy aktgjykimet mbeten në fuqi, dënimi i përgjithshëm për Thaçin do të arrijë në 26 vjet e 5 muaj burgim.

Megjithatë, Cakolli e ka cilësuar si problematike çështjen e llogaritjes së kohës së kaluar në paraburgim.

Ai ka theksuar se që nga 5 dhjetori 2024, Thaçi është subjekt i një urdhërarresti të veçantë për rastin e pengimit të drejtësisë, duke ngritur pikëpyetje për mënyrën se si do të trajtohet kjo periudhë në raport me dënimin e shqiptuar.

“Kanë kaluar mbi 23 muaj nën urdhërarrestin e dytë, ndonëse dënimi i shqiptuar sot është vetëm 17 muaj”, ka theksuar Cakolli.

Ai ka rikujtuar se për dy të dënuarit e tjerë në këtë rast ishte përcaktuar shprehimisht që koha e kaluar në paraburgim t’u llogaritej në dënim, të cilin ata tashmë e kanë përfunduar.

“Për Thaçin, ndërkaq, u vendos që dënimi të jetë shtesë, pa sqaruar qartë se si do të llogaritet periudha e kaluar në paraburgim nën urdhërarrestin e dytë”, ka theksuar ai.

Sipas Cakollit, rregullat e Gjykatës parashohin zbritjen e kohës së kaluar në paraburgim nga dënimi. Megjithatë, sipas vlerësimit të tij, gjykatësi duket se ka ndjekur parimin që e njëjta periudhë të llogaritet vetëm një herë, duke ia njohur atë dënimit në rastin kryesor.

Në këtë drejtim, ai ka ngritur dilemë lidhur me vlefshmërinë dhe efektin e pavarur të urdhërarrestit të dytë.

“Por, nëse urdhërarresti i dytë ka pasur fuqi të pavarur për ta mbajtur Thaçin në paraburgim, qysh ka logjikë që koha e kaluar nën të të mos i njihet në dënimin për të njëjtin rast?”, ka pyetur Cakolli.

Çështja e llogaritjes së paraburgimit mbetet kështu një nga pikat që kërkon sqarim në lidhje me mënyrën e ekzekutimit të dënimit ndaj Thaçit.

Të ngjashme

Të fundit