AP raporton për dënimin e dytë të Thaçit, transmeton edhe reagimin e tij para gjykatësit: Kjo është politikë, jo drejtësi

- Advertisement -

Gjykata Speciale e  ka shpallur fajtor ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, për akuza që përfshijnë përpjekjen për pengim të drejtësisë dhe mospërfillje të gjykatës.

Për këtë ka raportuar agjencia e lajmeve TheAssociatedPress, ku theksohet se,  Thaçi është dënuar me 17 muaj burg, të cilët do t’i shtohen dënimit prej 25 vjetësh burgim që tashmë është duke e vuajtur për krime lufte.

AP shkruan se ky ishte debakli i fundit ligjor për Thaçin, i cili në shtator u shpall fajtor, së bashku me tre ish-udhëheqës të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), për kryerjen e krimeve të luftës gjatë luftës së Kosovës për pavarësi nga Serbia, në vitet 1998–1999. Në atë proces gjyqësor, Thaçi u dënua me 25 vjet burgim. Avokati i tij, Luka Misetiq, ka bërë të ditur në platformën X se do ta apelojë vendimin.

Pasi gjyqtari Christopher Gosnell nga Kanadaja lexoi të martën aktgjykimin dhe dënimin, Thaçi hoqi kufjet që mundësojnë përkthimin simultan dhe deklaroi: “Kjo është politikë, jo drejtësi”.

Thaçi dha dorëheqje nga posti i presidentit gati gjashtë vjet më parë, për t’u përballur me akuzat për krime lufte në Dhomat e Specializuara të Kosovës, një degë e veçantë e sistemit gjyqësor të Kosovës me seli në Hagë.

Ai ende konsiderohet hero i luftës nga mbështetësit e tij në Kosovë, të cilët reaguan me zemërim ndaj dënimit të tij në shtator. Në atë kohë, ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, i kishte cilësuar aktgjykimet si “një gjykim të tmerrshëm për Kosovën, për popullin tonë dhe për luftën tonë çlirimtare”.

Në seancën e së martës, gjykata konstatoi se Thaçi “kishte zbuluar informacione konfidenciale lidhur me disa dëshmitarë në procesin gjyqësor për krime lufte, për persona që e vizitonin gjatë qëndrimit në paraburgim në vitin 2023, si dhe se përmes vizitorëve u kishte përcjellë udhëzime dëshmitarëve lidhur me mënyrën se si duhej të dëshmonin në procesin gjyqësor për krime lufte”.

Thaçi u shpall i pafajshëm për dy pika të akuzës për pengim të drejtësisë dhe mospërfillje të gjykatës.

Gjyqtari Gosnell i cilësoi veprat penale si “sulm ndaj integritetit të sistemit gjyqësor, i cili është një bazë thelbësore e sundimit të ligjit”.

Thaçi u gjykua së bashku me katër të akuzuar të tjerë: Bashkim Smakajn, Isni Kilajn, Fadil Fazliun dhe Hajredin Kuçin. Ata akuzoheshin për përpjekje për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve. Të gjithë ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat.

Smakaj dhe Fazliu u shpallën fajtorë për tentim të pengimit të drejtësisë dhe u dënuan me nga 12 muaj burgim. Megjithatë, gjykata urdhëroi lirimin e tyre të menjëhershëm, për shkak të kohës që tashmë kishin kaluar në paraburgim.

Kuçi u shpall fajtor për një pikë të akuzës për mospërfillje të gjykatës dhe u dënua me një muaj burgim me kusht. Ndërkaq, Kilaj u shpall i pafajshëm.

Shumica e rreth 13 mijë personave që humbën jetën gjatë luftës në Kosovë ishin shqiptarë etnikë. Një fushatë 78-ditore e bombardimeve ajrore të NATO-s kundër forcave serbe i dha fund luftimeve. Rreth një milion shqiptarë të Kosovës u dëbuan nga shtëpitë e tyre.

Në vitin 2008, Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia, një vendim që Beogradi refuzon ta njohë. Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të jenë të tensionuara, pavarësisht negociatave disavjeçare të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian dhe të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Të ngjashme

Të fundit