Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) u ka bërë thirrje sindikatave anëtare, punëtorëve të sektorit publik e privat dhe familjeve të tyre që t’i bashkohen “Marshit për Liri”, i cili mbahet nesër, më 12 shtator, nga ora 14:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
BSPK, përmes një komunikate për media, ka theksuar se ky marsh nuk lidhet me politikën e ditës, por me kujtesën historike dhe dinjitetin shoqëror.
Sipas BSPK-së, lufta e UÇK-së ishte e lidhur ngushtë me rezistencën e punëtorëve, minatorëve, mësuesve, studentëve dhe familjeve kosovare gjatë viteve të represionit.
“Vend të veçantë në këtë histori ka Lëvizja Studentore e 1 tetorit 1997, kur studentët e Universitetit të Prishtinës dolën paqësisht për të drejtën për arsim dhe u përballën me dhunën e policisë serbe. Shumë prej tyre, pak muaj më vonë, iu bashkuan UÇK-së e disa nuk u kthyen më në auditorë. Prandaj studenti, punëtori dhe luftëtari i përkasin së njëjtës vijë të rezistencës për liri”, thuhet në komunikatë.
BSPK ka deklaruar se respekton shtetin e së drejtës dhe të drejtën për gjykim të drejtë e të paanshëm, po thekson se drejtësia duhet të mbështetet vetëm në prova dhe përgjegjësi individuale, pa rishkruar karakterin çlirimtar të luftës së UÇK-së.
BSPK u ka bërë thirrje sindikatave dhe zyrave regjionale që të ndihmojnë në organizimin e pjesëmarrjes dhe ka kërkuar që marshi të zhvillohet qetë, me rend dhe dinjitet.
“Punëtorët e Kosovës do të jenë në shesh jo si palë politike, por si pjesë e një populli që lirinë nuk e mori dhuratë”, thuhet në komunikatën e BSPK-së.






