14.7 C
New York
Tuesday, November 10, 2026

Buy now

BQK miraton dy udhëzues për sistemin e pagesave të shpejta, zbatimi gradual nis më 23 nëntor

- Advertisement -

 

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka miratuar dy udhëzues të rëndësishëm për sistemin e pagesave të shpejta TIPS-K, duke finalizuar kornizën rregullative dhe operacionale për funksionalizimin e këtij sistemi në Kosovë.

Sipas njoftimit të BQK-së, udhëzuesit përcaktojnë kushtet e përdorimit të sistemit, mënyrën e funksionimit dhe tarifat për institucionet pjesëmarrëse, si dhe kërkesat për parandalimin e pastrimit të parave, luftimin e financimit të terrorizmit dhe parandalimin e mashtrimeve financiare.

Miratimi i tyre vjen pas miratimit të Rregullores për Sistemin e Pagesave të Shpejta TIPS-K muajin e kaluar, duke përmbyllur kështu kornizën e nevojshme për vënien në funksion të tij.

Sipas planifikimit të BQK-së, zbatimi gradual i sistemit do të nisë më 23 nëntor 2026 dhe do të zgjasë për një periudhë tremujore. Gjatë kësaj kohe, bankat do t’i bashkohen sistemit në mënyrë progresive.

Ndërkaq, nga 23 shkurti 2027, të gjitha bankat në Kosovë pritet të jenë pjesë e sistemit TIPS-K, duke mundësuar shtrirjen e plotë të shërbimeve të pagesave të shpejta për qytetarët dhe bizneset.

Përmes këtij sistemi, pagesat dhe transferet e mjeteve do të mund të realizohen brenda pak sekondash, 24 orë në ditë dhe shtatë ditë në javë.

BQK synon që përmes këtij projekti të modernizojë infrastrukturën kombëtare të pagesave, të rrisë efikasitetin dhe sigurinë e transaksioneve financiare, si dhe të nxisë konkurrencën dhe inovacionin në sektorin financiar.

Sistemi TIPS-K gjithashtu paraqet një hap të rëndësishëm drejt përafrimit të infrastrukturës së pagesave të Kosovës me standardet dhe praktikat evropiane.

Të ngjashme

Të fundit