Sekretari i Shtetit Antony Blinken ka shprehur edhe zyrtarisht miratimin e Shteteve të Bashkuara për marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë, e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për zbatimin e propozimit të tyre, raporton The Pavlovic Today.
Blinken ka thënë se pajtimi ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq në Ohër lidhur me Marrëveshjen për rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i rëndësishem për zbatimin e obligimeve të Kosovës dhe Serbisë nga Marrëveshja Themelore dhe për përshpejtimin e rrugës së tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Zyrtari i lartë i qeverisë amerikane ka falënderuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për lidershipin e tyre në arritjen e kësaj marrëveshjeje dhe ka theksuar se Shtetet e Bashkuara do të mbeten të angazhuara në mënyrë aktive, në koordinim me partnerët e BE-së, për të mbështetur Serbinë dhe Kosovën në funksionimin e zbatimit drejt një marrëdhënieje “të parashikueshme dhe paqësore”.
“Ne përgëzojmë Presidentin e Serbisë dhe Kryeministrin e Kosovës për lidershipin e tyre në arritjen e kësaj marrëveshjeje.” –
“Përmbushja e detyrimeve të Kosovës dhe Serbisë sipas Marrëveshjes Themelore, si pjesë e përkushtimit të qëndrueshëm për pajtim, do të sigurojë mundësi të rëndësishme për njerëzit e të dy vendeve dhe do të përshpejtojë rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.” – ka thënë sekretari Blinken.
Sekretari Blinken po ashtu ka vlerësuar angazhimin e Bashkimit Evropian për lehtësimin e bisedimeve dhe Qeverinë e Maqedonisë së Veriut për pritjen e palëve dhe mbështetjen për finalizimin e kësaj marrëveshjeje.
“Falënderojmë BE-në për lehtësimin e bisedimeve dhe Qeverinë e Maqedonisë së Veriut për pritjen e palëve dhe mbështetjen për finalizimin e kësaj marrëveshjeje.” – ka deklaruar Blinken.
Kujtojmë se pas një takimi gati dymbëdhjetë orësh në Ohër të shtunën, Kosova dhe Serbia kanë rënë dakord për një aneks zbatues të marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Aty thuhet se Kosova dhe Serbia pranojnë se çdo mosrespektim i detyrimeve të tyre nga marrëveshja, kjo aneks ose marrëveshjet e kaluara të dialogut mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta negative për proceset e tyre përkatëse të anëtarësimit në BE dhe ndihmën financiare që marrin nga BE-ja.