Kenan Gashi pret pjesët e manekinëve të vjetra në punëtorinë e tij në Kosovë dhe i hedh ato në makineritë e dhuruara nga qeveria amerikane, që coptojnë dhe pastrojnë plastikën për t`u shitur për riciklim.
Biznesi i riciklimit i Gashit në Fushë Kosovë pësoi një transformim të madh kur dy vite më parë mori pajisjet nga Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), duke e shtyrë atë të hartojë plane për të punësuar më shumë punëtorë.
Por tani ai është i shqetësuar. Më shumë se një e treta e pajisjeve të premtuara, me vlerë 130,000 dollarë, ende nuk ka mbërritur. Dhe tashmë administrata e presidentit Donald Trump ka ngrirë fondet e USAID-it dhe synon ta zvogëlojë ndjeshëm ndihmën e huaj amerikane nën politikën e tij “America First”.
Javën e kaluar, në një deklaratë për shtyp, Trump e përmendi donacionin për riciklimin në Kosovë si një shembull të shpenzimeve të qeverisë që ai dëshiron të shkurtojë.
“Ne presim të vijnë makineritë e tjera dhe kishim planifikuar ta rrisnim numrin e punëtorëve nga pesë në njëzet, por tani gjithçka është e pasigurt”, tha Gashi për Reuters, ndërsa hidhte pjesë plastike në një makinë bluarëse të USAID-it me një etiketë ku shkruhej “Riciklimi ka rëndësi”.
SHBA ka qenë një nga mbështetëset më të mëdha të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë, duke dhënë 1.1 miliardë dollarë ndihmë që nga viti 2001, sipas të dhënave të qeverisë amerikane.
Instituti GAP me seli në Prishtinë tha se USAID aktualisht po menaxhon 17 projekte me vlerë mbi 156 milionë dollarë, por nuk dihet saktësisht se sa nga këto fonde janë shpërndarë deri më tani.
Ndihma që bën diferencën
Kosova mbetet një nga vendet më të varfra në Evropë dhe ka ende nevojë urgjente për ndihmë, thonë politikanët dhe qytetarët.
Vendi përballet me tensione të vazhdueshme etnike midis shumicës shqiptare dhe pakicës serbe në veri. Sipas një hulumtimi të Reuters, më shumë se një duzinë projektesh ndihme me vlerë të paktën 150 milionë euro janë anuluar nga Bashkimi Evropian për shkak të rolit të autoriteteve të Kosovës në këtë tension.
“Askush nuk do të vdesë për shkak të ngrirjes së fondeve të USAID-it”, tha Burim Ejupi nga instituti i pavarur Indep në Prishtinë. “Megjithatë, çdo dollar apo euro që merr Kosova është i rëndësishëm për një vend që ka nevojë të madhe për to”, shtoi ai.
Në rrezik janë fondet që synojnë forcimin e institucioneve demokratike të Kosovës, përshpejtimin e kalimit nga qymyri ndotës në energjinë e ripërtëritshme dhe mbrojtjen e grupeve të margjinalizuara.
Ata që kanë përfituar nga këto fonde thonë se ndihma ka pasur një ndikim të madh në jetën e tyre dhe komunitetin e tyre.
Një tjetër riciklues, Qazim Grashtica, 38 vjeç, çdo ditë kërkon plastikë nëpër kontenierët e mbeturinave të kryeqytetit. USAID i ka dhuruar një traktor të vogël dhe një makinë për bluarjen e plastikës. Falë kësaj ndihme, të ardhurat e tij janë rritur nga pesë euro në ditë në njëzet euro në ditë.
“Para ndihmës së amerikanëve, kishte raste kur dhjetë anëtarë të familjes flinin pa darkë. Nuk kishim asgjë për të ngrënë”, tha Grashtica në punëtorinë e tij, të rrethuar nga plastika e gatshme për t’u shitur.
“Do t’i thosha Trumpit: ‘Ti je njeri i mirë, duhet të ndihmosh njerëzit, sidomos ata në Kosovë'”, shtoi ai.