Kompanitë inovative në Kosovë po zgjerojnë aktivitetin e tyre në tregje ndërkombëtare dhe po zhvillojnë produkte digjitale me potencial global, ndërsa njëkohësisht theksojnë nevojën për mbështetje më të madhe institucionale për të përshpejtuar rritjen dhe konkurrueshmërin.
Përfaqësues të sektorit të teknologjisë, marketingut digjital dhe edukimit joformal vlerësojnë se vendi ka potencial të konsiderueshëm në inovacion, por sfidat mbeten në financim, infrastrukturë dhe përkrahje sistematike për bizneset që operojnë në këtë fushë.
Drejtoresha për edukim në kompaninë “Kids Day”, Brikena Krasniqi, tha se platforma e tyre digjitale ndihmon institucionet parashkollore në menaxhimin e proceseve dhe komunikimin me prindërit.
“Kids Day është një platformë digjitale që ndihmon institucionet parashkollore, çerdhet, kopshtet, qëndrimet ditore për menaxhimin e institucioneve të tyre nëpërmes kësaj platforme. Gjithçka është aty brenda. I kemi mbi 20 mijë përdorues, ku institucioni e menaxhon qendrën e vet, mësueset raportojnë, ndërsa prindi në anën tjetër e merr një raport në kohë reale për gjendjen e fëmijës edhe se si po zhvillohet fëmija. Jemi në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, në Bullgari, në Dubai dhe kemi tash edhe kërkesa më të gjera, që si biznes besojmë që dhe shpresojmë që me shku sa më larg në krejt botën”, tha ajo.
Ajo theksoi se bëhet fjalë për një produkt të zhvilluar në Kosovë, me potencial ndërkombëtar.
“Kids Day është një biznes i cili është themeluar këtu në Kosovë, nga ne kosovarët, edhe është krejt produkt i Kosovës. Besoj që kjo është një gjë shumë e vlefshme për shkak që ashtu sikur ne bëjmë krenarë edhe shumë sportistë e këngëtarë të Kosovës nëpër botë, besojmë që edhe Kids Day do ta bëjë të njëjtën. Vlen të theksohet që kemi pasur përkrahjen edhe nga Plug and Play, që është një platformë ndërkombëtare me bazë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për shkak se e kanë vlerësuar kaq shumë platformën tonë edhe mendojnë që ka një të ardhme shumë të mirë”, tha ajo.
Ajo shtoi se, pavarësisht potencialit dhe vlerësimit ndërkombëtar, mbështetja në vend mbetet e domosdoshme për rritjen e mëtejshme të kompanisë.
“Në Kosovë ne e kemi parë nevojën e madhe, e kemi parë që në Kosovë nuk ka një platformë të tillë edhe kemi dashtë me i qenë në ndihmë të gjitha institucioneve. Unë si grua dhe nënë, gjithashtu dhe të gjitha atyre biznesmenëve që janë në këtë lëmi ku 90% janë femra, kemi dashur që me pas këtë platformë ndihmë për to. Edhe kemi filluar këtu në Kosovë. Kosova i ka mundësitë shumë të mira për me pas gjëra inovative. Sa i përket përkrahjes institucionale, gjithmonë shpresojmë që pak më shumë përkrahje kishte me qenë më mirë, e aq më shumë kur e shohim që globalisht po vlerësohemi, e mendojmë që kishte me qenë mirë edhe në Kosovë të vlerësohemi njëjtë”, tha ajo.
Njëri nga bashkëthemeluesit e kompanisë “Makro Prezenca”, Lion Rrahmani tha se kompania e tyre operon në fushën e marketingut digjital të bazuar në inteligjencë artificiale.
“Kompania Makro Prezenca është një AI digital marketing e cila funksionon me të gjitha LLM-at të cilët janë aktualisht top brand, duke e pasur parasysh që AI këto kohët e fundit është duke përfituar shumë rritje të mëdha, edhe ne e kemi gjetur një metodë që me avancu në këtë pjesë në bazën e marketingut. Produkti që e ofrojmë ne kryesisht është dizajni grafik, marketingu në përgjithësi. Nëse ty të duhet një influencer apo një dizajner grafik ose një visual studio, një branding agency ose diçka, mundesh me e gjet totalisht te ne”, tha ai.
Ai shtoi se projekti është ende në fazë përfundimtare dhe se presin që të kenë përkrahje më të madhe nga shteti.
“Duke e pasur parasysh që jemi ende në 90% e finalizimit të projektit, jemi duke shpresuar që kemi me pasur edhe përkrahje më shumë prej shtetit tonë. Duke e pasur parasysh që nga pjesa e inovacionit tash e sa vite jemi duke pasur përkrahje si komunitet i vogël, duke e pasur parasysh që nuk kemi pasur se ku me i zbatu ose ku me i shfrytëzu idetë tona. Po e ardhmja po duket e ndritur. Tash e sa vite e keni parë edhe vetë që në kuadër të teknologjisë janë edhe si shtet jemi fokusuar më shumë duke e pasur parasysh që kemi shumë talenta. Edhe prandaj ne kemi ardhur me idenë e Makro Prezencës që secili talent qoftë në shkollë të mesme, qoftë në shkollë fillore apo edhe në fakultet, me mund me shpreh veten pa pasur nevojë me punu po them 5 vjet, 10 vjet që deri me mbërri në atë nivelin e lartë që me e kontaktu dikush për punën e tij”, tha ai.
Ndërkaq, zëvendësdrejtoresha në “BONEVET” Gjakova, Mariana Gërçari, tha se institucioni që ajo përfaqëson fokusohet në zhvillimin e talenteve të reja në fushat STEM.
“Bonevet është institucion i edukimit joformal. Punojmë me grupmosha të ndryshme prej moshës 5 deri në plus 18 vjeç, ku fëmijët dhe të rinjtë vijnë edhe i zbulojnë dhe i zhvillojnë talentet e tyre. Fëmijët dhe të rinjtë kryesisht punojnë në fushat STEM: shkencë, teknologji, inxhinieri, art edhe matematikë. Edhe të gjitha produktet që po i shihni janë të realizuara prej vetë fëmijëve dhe të rinjve”, tha ajo.
Ajo theksoi interesimin në rritje të të rinjve për inovacion dhe mbështetjen që kanë marrë deri më tani.
“Fëmijët dhe të rinjtë janë jashtëzakonisht të interesuar, sidomos kohët e fundit në inovacion, ku ata vijnë prej moshës shumë më të re edhe rriten në atë frymë, edhe kur të arrijnë një moshë të pjekurisë e dinë se çka dojnë me zgjedhë, edhe e kanë më të lehtë sigurisht depërtimin e tyre në karrierë. Deri tash kemi pasur mbështetje të madhe prej, qoftë prej bizneseve, qoftë prej qeverisë. Edhe interesimi i të rinjve vetanak është shumë i madh, kështu që ne jemi të kënaqur deri tash”, tha ajo. /Ekonomia Online.






