Tifogrupi i kombëtares së Kosovës, “Dardanët”, ka bërë thirrje për mobilizim të tifozëve para ndeshjes së së dielës ndaj Austrisë, e cila do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Përmes një njoftimi, “Dardanët” kanë bërë të ditur se nga e shtuna, 3 tetor, nis shpërndarja e biletave për anëtarët e tifogrupit.
Anëtarët e “Dardanëve” mund t’i tërheqin biletat në pikat nëpër qytete ku gjenden përfaqësuesit e tifogrupit, si dhe në zyrat e fanclubit në kryeqytet.
Në të njëjtën kohë, tifogrupi ka ftuar të gjithë anëtarët dhe tifozët e tjerë që do të jenë të pranishëm në stadium që ta përkrahin maksimalisht kombëtaren e Kosovës në përballjen ndaj Austrisë.
“Dardanët” kanë theksuar se synimi është që edhe një herë të dëshmohet se stadiumi “Fadil Vokrri” është një terren i vështirë për çdo kombëtare dhe se Kosova duhet të kërkojë rezultat pozitiv në këtë përballje.
“Ta dëshmojmë se ‘Fadil Vokrri’ është një arrë e fortë për çdo kombëtare me vlerë në qarkullim dhe se nga këtu nuk dalim pa rezultat pozitiv”, thuhet në thirrjen e tifogrupit.
Ky është njoftimi i plotë:
“U bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve të tifogrupit tonë Dardanët që, qysh nga nesër (03/10/2026), bëhet shpërndarja e biletave për ndeshjen kundër Austrisë. Si rëndom, anëtarët ftohen që t’i tërheqin biletat në pikat nëpër qytete ku gjenden përfaqësuesit e Dardanëve apo në zyrat e fanclubit tonë në kryeqytet. Ftojmë të gjithë, anëtarët e tifogrupit tonë dhe tifozët e tjerë që do të jenë të pranishëm në shkallët e stadiumit, që ta përkrahim maksimalisht ekipin tonë kombëtar të dielën ndaj Austrisë dhe ta dëshmojmë se ‘Fadil Vokrri’ është një arrë e fortë për çdo kombëtare me vlerë në qarkullim dhe se nga këtu nuk dalim pa rezultat pozitiv”, thuhet në njoftimin e tifogrupit “Dardanët”.
Ndeshja Kosovë – Austri i përket xhiros së katërt të Ligës B së Ligës së Kombeve, dhe luhet të dielën e 4 tetorit, nga ora 18:00.
Kosova ka katër pikë nga tri ndeshje, derisa Austria ka shtatë pikë.
Në ndeshjen e parë mes këtyre dy kombëtareve – e luajtur në Vjenë – takimi përfundoi 3-1 në të mirë të austriakëve.
Në dy ndeshjet tjera, Kosova ka një fitore ndaj Irlandës (1-0) dhe një barazim pa gola me Izraelin.
Pas ndeshjes me Austrinë, kampanja në Ligën B të Ligës së Kombeve për Kosovës merr fund në nëntor, me ndeshjet ndaj Irlandës (mysafire) dhe atë ndaj Izraelit (vendase).






