1.3 C
New York
Thursday, February 22, 2024

Buy now

Biden do të bisedojë me presidentin ukrainas

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, pritet që të zhvillojë një bisedë telefonike me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelenskiy më 2 janar, teksa dy liderët planifikojnë që të shqyrtojnë përgatitjet për angazhimet e ardhshme diplomatike, që kanë për qëllim uljen e tensioneve pas grumbullimit të trupave ruse në afërsi të Ukrainës.

Gjatë kësaj bisede, Biden pritet që të “riafirmojë mbështetjen e ShBA-së për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës në dritën e agresionit rus”, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.

Kjo do të jetë biseda e dytë në tri javët e fundit ndërmjet liderëve, teksa Shtëpia e Bardhë po tenton që ta adresojë kërcënimin ushtarak, që ka alarmuan NATO-n, teksa autoritetet në Kiev kanë shprehur shqetësimet se në javët në vijim Rusia mund ta pushtojë Ukrainën.

Biseda ndërmjet Bidenit dhe Zelenskiyt pason një bisedë që presidenti amerikan zhvilloi më 30 dhjetor me homologun e tij rus, Vladimir Putin. Në këtë bisedë, Biden kishte thënë se SHBA-ja dhe aleatët e saj do të vendosnin sanksione të ashpra nëse Rusia e pushton Ukrainën.

Rusia ka vendosur rreth 100 000 trupa në afërsi të kufirit me Ukrainën, teksa Moska po kërkon garanci të sigurisë nga ShBA-ja dhe NATO-ja.

Në veçanti, Rusia dëshiron që NATO-ja të mos e anëtarësojë Ukrainën dhe shtetet e tjera të ish-Bashkimit Sovjetik dhe të tërheqë dislokimet ushtarake nga Evropa Qendrore dhe Lindore.

Administrata Biden dhe NATO-ja vazhdimisht kanë thënë se Aleanca Veri-Atlantike mirëpret çdo shtet dhe asnjë shtet nuk e ka të drejtën e vetos mbi aspiratat e një shteti për t’iu bashkuar kësaj organizate. Uashingtoni ka thënë se nuk do të diskutojë për sigurinë e Ukrainës pa u konsultuar me Kievin. /Rel/

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit