22.7 C
New York
Thursday, July 18, 2024

Buy now

Biden dhe Trump, qëndrime të ndryshme për armëmbajtjen

- Advertisement -

E drejta për të mbajtur armë vazhdon të jetë një temë që i përçan amerikanët në këtë vit zgjedhor në Shtetet e Bashkuara. Presidenti Joe Biden kërkon ndalimin e armëve automatike. Kundërshtari i tij Donald Trump thotë se zoti Biden po kërcënon të drejtën kushtetuese të pronarëve të armëve. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Scott Stearns, presidenti foli për këtë çështje në të njëjtën ditë kur djali i tij u shpall fajtor se kishte gënjyer lidhur me përdorimin e drogës në një formular, duke blerë në mënyrë të jashtëligjshme një armë.

Presidenti Joe Biden u tha aktivistëve për kontrollin e armëve në Uashington të martën se ai ka nevojë për ndihmën e tyre për të forcuar ligjet për kontrollin e armëmbajtjes.

“Ne kemi nevojë për ju që t’u bëjmë ballë përpjekjeve të pandërprera të lobit dhe prodhuesve të armëve si dhe gjithë atyre politikanëve që kundërshtojnë legjislacionin për armëmbajtjen”, thotë zoti Biden.

Presidenti bëri thirrje për një ndalim në nivel federal të armëve automatike dhe kritikoi republikanët për përpjekjet e tyre për të mbyllur Agjencinë për Kontrollin e Alkoolit, Duhanit, Armëve të Zjarrit dhe Eksplozivëve, që është përgjegjëse për luftën ndaj krimeve me armë.

“Nuk mund të thuash se je pro zbatimit të ligjit nëse je pro shfuqizimit të kësaj agjencie. Është skandaloze”, tha zoti Biden.

Gati një e treta e amerikanëve thonë se kanë një armë, sipas Qendrës Kërkimore ‘Pew’.

Kandidati i pritshëm republikan Donald Trump i tha lobit më të madh të armëve në Amerikë në maj se Presidenti Biden do që t’ua heqë këtë të drejtë.

“Nëse Presidenti Biden fiton edhe një mandat, ata do të bëjnë përpjekje t’jua marrin armët”, tha zoti Trump.

Ai thotë se e drejta për armëmbajtje, sipas Amendamentit të Dytë të Kushtetutës amerikane, do të garantohet me zgjedhjen e tij.

“Nëse ata fitojnë, vendi ynë do të shkatërrohet në shumë mënyra. Amendamenti i Dytë është në shënjestër. Por me mua si President, ata kurrë nuk do t’ia arrijnë”, tha zoti Trump.

Ai i tha Shoqatës Kombëtare të Armëve se votat e atyre që mbajnë armë do t’ia sigurojnë fitoren në nëntor.

“Ata janë patriotë të mëdhenj. Ne do të kemi arritje të mëdha. Ne do t’i fitojmë këto zgjedhje me rezultate që askush nuk i ka parë më parë”, thotë zoti Trump.

Veprimet e kandidatit republikan sa ishte President, për kontrollin e armëmbajtjes, janë arsye për të mos e rizgjedhur atë, thotë zoti Biden.

“Paraardhësi im i tha Shoqatës së Armëve së fundmi se është krenar që nuk bëri asgjë për kontrollin e armëmbajtjes kur ishte president dhe duke mos bërë asgjë, ai e përkeqësoi ndjeshëm situatën”, thotë zoti Biden.

Presidenti foli për të drejtën për të mbajtur armë të martën, ditën kur djali i tij Hunter u shpall fajtor për akuzat që përfshijnë edhe blerjen e paligjshme të një arme.

Joe Biden nuk foli për vendimin ndaj djalit të tij, por lëshoi një deklaratë duke thënë se do të pranojë çdo lloj dënimi që do të jepet për të dhe do të respektojë procesin gjyqësor. Është hera e parë që i biri i një presidenti të Shteteve të Bashkuara, shpallet fajtor për një krim. Hunter Biden do të përballet në muajin shtator edhe me një tjetër gjyq me akuza në nivel federal për mashtrime me taksat./VOA/

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit